Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti edhe sot ka folur për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe për të cilin e ritheksoi se ai do të bëhet sipas Kushtetutës së Kosovës dhe se një i tillë nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, shkruan Reporteri.net.
Kreu i Qeverisë në një intervistë dhënë për televizionin publik austriak “ORF Tv Thek” tha se nuk ka shanse që një Republikë Srpska të bëhet brenda Kosovës, siç tha ai “ka ndodhur në Bosnjë dhe Hercegovinë”. Sa i përket draft-statutit të Asociacionit, Kryeministri Kurti tha se ai vetë kishte ofruar që ta shkruante një të tillë gjithmonë duke respektuar Kushtetutën.
“Jam unë që në fakt u ofrova të shkruaj draft statut për vetëmenaxhimin e komunitetit serb në përputhje me marrëveshjen e mëparshme. Duke u ofruar për atë që duhet të respektojë Kushtetutën e Kosovës, e vendimi i kushtetutës është gjykata, qëndrimet e Bashkimit Evropian se ky Asociacion i shumicës serbe nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive, dhe qëndrimet amerikane të publikuara me tekste të përbashkëta nga Chollet dhe Escobar, në janar të këtij viti”, tha Kurti.
“Presidenti i Serbisë tha se nuk ka interes për këtë. Ai bazikisht dëshiron të mos e njohë kurrë Kosovën por të fitojë një “shtet mbi shtet” për ta bërë shtetin tonë disfunksional. Këtë unë nuk mund ta pranoj. Unë kam thënë në takime se unë nuk mund të ofroj kafe pa filxhan. Nëse ata insistojnë një kafe pa filxhan, gjithçka që mund të bëj është të tregoj filxhanin bosh”, shtoi kreu i Qeverisë.
“Sidoqoftë, përderisa Serbia refuzon të nënshkruajë pavarësisht se është pajtuar me tekstin, ata nuk janë të angazhuar për implementimin dhe në të kundërtën janë të angazhuar për eskalim. Nuk mendoj se marrëveshja ka vdekur, por kemi nevojë për më shumë presion mbi regjimin autokratik të Serbisë,
e cila nuk i përmbahet asaj që ata janë pajtuar dhe e shfrytëzon dialogun si dhe përdorin dialogun për të forcuar aparatin e tyre policor dhe ushtarak, të cilin e përdorin kundër Republikës së Kosovës”, u shpreh Kurti.
Kurti gjithashtu foli edhe për sulmin terrorist të 24 shtatorit në fshatin Banjskë të Zveçanit për të cilin tha se prapa tij qëndron Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ai tha se Serbia po sillet si një “Rusi e vogël” dhe se agresioni duhet të dënohet nga BE-ja dhe ShBA-ja.
“Serbia e di që s’mund ta ketë të gjithë Kosovën por janë vënë pas veriut, ku shumica e strukturave ilegale janë prezente për më shuëm se 24 vjet që nga përfundimi i luftës. Serbia nuk dëshiron paqe, nuk dëshiron të anëtarësohet në NATO dhe BE, dhe dëshiron ta destabilizojë vendin tonë dhe të marrë territor që ta kompensojë humbjen e luftërave”, tha ai./Reporteri.net/