×
  • Lajme
  • Lajme / Shefi i NATO-s

    Stoltenberg në Sarajevë: Jemi të shqetësuar nga retorika e ndarjes dhe ndikimi rus

    Reporteri
    20 Nëntor 2023 | 10:41

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të hënën në Sarajevë se aleanca veri-atlantike ndihet e shqetësuar nga retorika e ndarjes dhe me ndikimi rus në rajon, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    Kjo ishte vizita e parë e shefit të NATO-s në Bosnjë e Hercegovinë, pas të cilës ai do të mbërrijë në Kosovë pasditen e sotme.

    “Ajo kërcënon minimin e stabilitetit dhe dobësimin e reformave. Të gjithë liderët duhet të punojnë për të ecur përpara. Për ne është tejet me rëndësi dhe ne jemi të përkushtuar për sigurinë dhe stabilitetin e këtij rajoni, dhe vendit tuaj i cili ka shumë rëndësi për rajonin e Ballkanit Perëndimor, prandaj ne po e thellojmë dialogun politik dhe bashkëpunimin tonë praktik”, tha Stoltenberg në Sarajevë.

    Kurti dhe Stoltenbergu takohen sot në orën 16:35

    Ai shtoi se aleatët “e mbështesin fuqishëm sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë e Hercegovinës”.

    Stoltenberg bisedoi edhe me kryetaren e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Borjana Krishto, mëngjesin e së hënës.

    Krishto tha se Bosnjë e Hercegovina është pjesë e Planit të Veprimit të Anëtarësimit (MAP), i cili, sipas saj, tregon se ka vendim politik nga NATO-ja se ajo mund të bëhet anëtare e aleancës.

    “Ne duhet ta arrijmë një konsensus politik dhe përmes dialogut të vijnë deri te pozicionet të cilat janë shumë të rëndësishme për Bosnjë e Hercegovinën kur bëhet fjalë për bashkëpunimin me NATO-n”, tha Krishto.

    Stoltenberg mbërriti në Bosnjë të dielën vonë dhe darkoi me anëtarët e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës.

    Denis Beçiroviq, anëtar i Presidencës së Bosnjes, njoftoi në Facebook se gjatë vizitës, shefi i NATO-s tha se aleanca ushtarake mbetet garantues i sigurisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Bosnjë e Hercegovinës.

    “Ai tha se NATO-ja nuk e aprovon një retorikë e cila nxit ndarje dhe e rrezikon funksionimin e institucioneve të shtetit të Bosnjë e Hercegovinës. Ai, po ashtu, nënvizoi se rrugët e Bosnjë e Hercegovinës drejt Evropës dhe NATO-s janë të qëndrueshme, dhe se NATO-ja do t’i mbështet proceset e reformave, të cilat e sjellin Bosnjë e Hercegovinën më pranë NATO-s dhe Bashkimit Evropian”, shkroi Beçiroviq.

    Më parë, Stoltenberg kishte deklaruar se Bosnja e Hercegovina, bashkë me Gjeorgjinë dhe Moldavinë, i përkasin vendeve që e meritojnë një vëmendje të veçantë nga NATO-ja.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!