×
  • Lajme
  • Lajme / Takimi i orës 10:00

    Presidentja Osmani nesër pret në takim Escobarin, më pas i adresohen bashkë mediave

    Reporteri
    12 Mars 2024 | 19:12
    Vjosa Osmani dhe Gabriel Escobar. Fotografi nga arkivi.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të pres në takim nesër, e mërkurë, të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në orën 10:00, ka njoftuar Presidenca e Kosovës, shkruan Reporteri.net. 

    Pas takimit të përbashkët, Osmani bashkë me Escobarin pritet t’i adresohen mediave në një konferencë.

    “Në orën 10:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim përfaqësuesin e posaçëm për Ballkanin Perëndimor të Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar. Mediat fillimisht do të marrin pamje nga takimi, ndërkaq pas takimit do te ketë deklaratë për media”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

    Krahas takimeve me krerët e shtetit të Kosovës, që Departamenti i Shtetit i ka paralajmëruar në njoftimin e lëshuar dje, emisari amerikan takim do të zhvillojë edhe me krerët e opozitës.

    Nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net se kryetari Lumir Abdixhiku do t’i përgjigjet ftesës së emisarit amerikan.

    Edhe nga AAK-ja jo zyrtarisht i kanë konfirmuar Gazetës Online Reporteri.net se edhe kreu i AAK-së Ramush Haradinaj do të jetë pjesëmarrës në këtë takimin e së mërkurës, që sipas tyre “ka kohë që është kërkuar nga stafi i Escobarit”.

    Gazeta Online Reporteri.net merr vesh se ftesë për takimin me opozitën ka edhe kryetari i PDK-së, ndonëse jo zyrtarisht nga kjo parti thanë se nuk janë në dijeni për zhvillimin.

    Gabe Escobar dy ditë në Prishtinë, fton krerët e opozitës për takimin e përbashkët nesër

    Escobar, e ka quajtur “katastrofik” dhe “jokompetent” vendimin e autoriteteve të Kosovës për të zbatuar rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) që e përcakton euron si valutën e vetme për kryerje të pagesave me para të gatshme.

    Kështu është pamundësuar përdorimi i dinarit serb në komunat me shumicë serbe në Kosovë.

    Escobar i ka përmendur disa arsye pse SHBA-ja nuk pajtohet me mënyrën e zbatimit të rregullores së BQK-së: shpejtësia me të cilën është zbatuar, mungesa e ofrimit të ndonjë alternative për të pranuar paratë, nuk janë kontaktuar komunitetet e prekura prej vendimit, komuniteti ndërkombëtar ka pasur vështirësi që ta bindë Kosovën që të ofrojë ndihmë teknike.

    “Qeveria e Kosovës duhet të punojë me komunitetin ndërkombëtar për të gjetur zgjidhje për këtë vendim, që do ta quaja katastrofik dhe madje jokompetent, të zbatimit të vendimit që ka krijuar kaos në ekonominë e Kosovës”./Reporteri.net/.

    Escobar rikonfirmon “telashet” e SHBA-së me Kurtin: Kemi problem me komunikimin – jo veç ne, edhe BE, NATO dhe Britania

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!