×
  • Lajme
  • Lajme / Biseda e fshehtë

    Audio-incizimi që rrëzon pretendimet e Kusari-Lilës me “bashkëvendasin” Radojçiq

    Reporteri
    03 Qershor 2024 | 22:20

    Një audio-incizim që dëshmon një bisedë të shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila me kriminelin serb që ka vepruar në veri të Kosovës, Milan Radojçiq ka ngjallur shumë reagime në vend. Audio-incizimi i shkurtër ngjalli shumë reagime, por protagonistja Kusari-Lila të hënën ka heshtur. 

    Biseda që u raportua se ka ndodhur në qershor të vitit 2022, ku shefja e deputetëve të Vetëvendosjes flet me organizatorin e sulmit terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit, çoi në kërkesa të shumta nga akterë të jetës politike për dorëheqjen e Qeverisë së Albin Kurtit.

    Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike, Vlora Çitaku, tha se kjo bisedë e konfirmon afërsinë dhe koordinimin e Lëvizjes Vetëvendosje me Listën Serbe.

    “Hipokrizia dhe mashtrimi janë konstatja e vetme e kësaj kaste qeverisëse! Bisedat që i dëgjuam sot, mes shefes së grupit parlamentar të VV-së me kryeterroristin Radoiçiq, e konfirmojnë qartë afërsinë dhe koordinimin me Listën Serbe. Çka fsheh ende afera “Zdravo” mbetet të shihet, por tashmë s’ka dilema se kjo duhet të hetohet nga organet përkatëse.” – tha Çitaku.

    Dorëheqjen e Qeverisë pas publikimit të kësaj bisede e ka këruar deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami. Ajo  përmes një reagimi në Facebook ka thënë se ndër të tjera “Kurti duhet të japë shpjegime për këtë bisedë të deputetes së Vetëvendosjes me Radojçiqin”.

    “Albin Kurti duhet të japë shpjegime për këtë bisedë të deputetes së Vetëvendosjes me Radojçiqin. Vetëvendosje duhet të japë llogari para votuesve pse “Erdhi Dita” që Shefja e Grupit Parlamentar të koordinohet me Radoiçiqin. Duhet të jepni llogari dhe pastaj të jepni edhe dorëheqje.”, u shpreh ajo.

    “Sot, shefja e VV e shndërroi Milan Radojçiç nga një terrorist në një “Zemlak” miqësor. Kryeministri Kurti e ‘lau’ Oliver Ivanoviç duke e shndërruar nga një vrasës shqiptarësh në burrështetas të suksesshëm. Në krejt këtë valle patriotizmi të rrejshëm, vetëm një dilemë e kam. Si ka mundësi që kaq pafytyrësisht e vazhdoni vallen edhe pasi ju ka rënë perdja?”, tha ajo.

    Edhe ish-ambasadori Anton Berisha ka reaguar pas publikimit të një audio-incizimi ndërmjet shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendeosjes, Mimoza Kusari-Lila dhe kriminelit të veriut, Milan Radojçiq. Berisha ka ndarë një përvojë personale me Kusari-Lilën gjatë kohës sa ka qenë ambsador i Kosovës në Slloveni.

    Ai e ka quajtur Kusari-Lilën bashkëpunëtore të zellshme të strukturave kriminale të Serbisë në Kosovës.

    Pas publikimt të bisedës me Radojçiqin, deputetja e LDK-së kërkon dorëheqjen e Qeverisë
    “Mimoza Kusari, qe dilte pothuajse çdo javë ne konferenca shtypi me kerkesen patriotike e interesin shteteror qe te terhiqet Anton Berisha nga detyra e ambasadorit ne Slloveni, tash po zbulohet publikisht ne ate qe ka qene e qarte per mua qe moti, se eshte nje bashkepunetore e zellshme e strukturave shtetetore e kriminale te Serbise.”, ka shkruar ai në Facebook.

    Çfarë bisedoi Kusari-Lila me Milan Radjçiqin

    Sot, është publikuar një bisedë e shkurtër mes shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe kriminelit serb Milan Radojçiq.

    Biseda më pak se një minutë ishte ndërmjetësuar nga Sllavko Simiq i Listës Serbe.

    “Kolege, kemi ardhur te Milani, dëgjohu me të”, i thotë Simiq deputetes së VV-së.

    “Në rregull”, ia kthen Kusari-Lila.

    “Alo, (vendase) zemlajke, a po nihemi?”, e pyet Milan Radojçiqi.

    “Po, po të dëgjoj”, ia kthen Kusari-Lila.

    Radojçiq: “Qysh je? Qysh po kalon?

    Kusari-Lila: “Qe, qe në Kuvend i kam pasur disa takime. Tash u lirova, po shkoj në shtëpi”.

    Sekuencën e bisedës e cila besohet se është zhvilluar në qershor të vitit 2022, e ka publikuar Nacionale.

    Biseda ishte zhvilluar në kohën kur Milan Radojçiqi ishte përfshirë në Listën e Zezë.

    Mimoza Kusari-Lila e kishte konfirmuar bisedën me Radojçiqin, por pati deklaruar se biseda është në gjuhën shqipe. Sipas versionit të Kusari-Lilës, biseda kishte ndodhur pasi Simiq ia pati ‘lëshuar interfonin pa paralajmërim’.

    “…Në të cilin gjatë bisedës Sllavko, ne…e thërret, e lëshon në speaker phone. Ai flet shqip”.

    Kusari-Lila kishte mashtruar për bisedën me Radojçiqin

    Edhe para një viti ishin publikuar audio-incizimet mes shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza-Kusari Lila dhe ish-deputetit të Listës Serbe, Sllavko Simiq, e ku përmes tij, ajo e para komunikonte edhe me të sanksionuarin famëkeq dhe në Listë të Zezë të SHBA-së, Milan Radojiçiqin.

    Mimoza Kusari-Lila e kishte konfirmuar bisedën me Radojçiqin, por pati deklaruar se biseda është në gjuhën shqipe.

    Sipas versionit të Kusari-Lilës, biseda kishte ndodhur pasi Simiq ia pati ‘lëshuar interfonin pa paralajmërim’.

    “…Në të cilin gjatë bisedës Sllavko, ne…e thërret, e lëshon në speaker phone. Ai flet shqip”. Në audio-incizimin e publikuar të hënën, ishte Kusari-Lila ajo që fliste në gjuhën serbe.

    Kush është Milan Radojçiq?

    Milan Radojiçi1, krimineli i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe dhe autori i sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, është i lidhur me një numër të madh mashtrimesh përmes kompanive që kishte në pronësi.

    Radojçiqi është lidhur me vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq. Për të ishte lëshuar një fletarrestim, por i cili ishte tërhequr më pas në marsin e vitit 2021 nga autoritetet tona pa një shpjegim zyrtar.

    Ai po ashtu ishte kërkuar për përfshirjen e tij në rastin “Brezovica” dhe dyshohet se ka kryer krimin e intimidimit të dëshmitarëve gjatë procedurave gjyqësore. Radojçiqi njihet edhe për arratisjen e tij në pikën administrative të Bërnjakut në veri të Kosovës në shkurtin e vitit 2022.

    Radojçiqi njihej edhe për autoritetet gjyqësore në Serbi. Ndaj tij dhe ndaj Zvonko Veselinoviqit kishte pasur një aktakuzë në vitin 2011 për përvetësim, por ishin shfajësuar nga këto akuza prej Serbisë më 2016.

    Ai bashkë me Zvonko Veselinoviqin është pronar i të paktën katër kompanive në Serbi. Por, me kalimin e viteve këta persona ishin bërë biznesmenë legalisht përmes një kompanie të quajtur Inkop. Vetëm në vjeshtën e vitit 2018 ata ishin bërë formalisht si bashkëpronarë.

    Radojçiqi ishte pjesë e aksionit terrorist. Ndërkohë mbrojtja që i bëri Serbia dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq që shpallën një ditë zie për terroristët – e bëri relacionin e Radojçiqit me Serbinë krejt të qartë si kristali.

    Lista e zezë

    Në dhjetor të vitit 2021, Ministria e Financave e SHBA-së vendosi në listën e sanksioneve Milan Radoiçiqin, Zvonko Veselinoviçin, vëllain e tij Zharkon dhe dhjetë persona të tjerë të lidhur me ta.

    Në sqarimin e ministrisë amerikane thuhet se Milan Radoiçiq ishte zëvendës i Zvonko Veselinoviqit dhe gjoja lider i një grupi të organizuar kriminal, kur Veselinoviq doli për një kohë të shkurtër në pension.
    Radoiçiq dyshohet se ishte gjithashtu përgjegjës për kontrabandën e armëve në grupin e krimit të organizuar të Veselinoviçit. Radoiçiq nuk i ka bërë publike këto akuza.

    Shtohet se grupi kriminal i Veselinoviqit dyshohet se është i përfshirë në një skemë të gjerë të ryshfetit, së bashku me zyrtarë të sigurisë kosovare dhe serbe, të cilët lehtësojnë tregtinë e paligjshme të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, shkruan RSE.

    Britania e Madhe gjithashtu vendosi sanksione kundër tyre. Për Milan Radoiçiqin, britaniku deklaroi se ai përfitonte nga abuzimi me kontratat shtetërore dhe se ai përdori ndikimin e tij për t’i dhënë kontrata fitimprurëse kompanive të ndërtimit në pronësi të tij. Në shpjegim thuhej se Zvonko Veselinoviq përdorte kontrata publike për të përvetësuar fondet shtetërore./Reporteri.net/

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!