E bija e Jakup Krasniqit, Gresë Krasniqi, njoftoi se babai i saj refuzon kujdes të mjekëve në Hagë.
Jakup Krasniqi i ka thënë të bijës se i është mohuar çdo e drejtë njerëzore tash e gjashtë vjet, prandaj nuk i duhet as kujdesi i tyre.
“Para një muaji, Babi u dënua me 25 vjet burgim. Sot, gjatë një telefonate, më tha: “Erdhën disa doktorë për të më kontrolluar, natyrisht që i refuzova. Jam këtu pa të drejtë, më është mohuar çdo e drejtë njerëzore tash e gjashtë vjet, prandaj nuk më duhet as kujdesi i tyre. Ju të jeni të informuar se unë nuk do të pranoj më asnjë kujdes nga ana e tyre.” Si bijë, natyrisht që u shqetësova. Babi është në një moshë kur ka nevojë për kujdes të veçantë“, shkroi ai.
“Por, si njeri që i kam kaluar 30 vitet e jetës sime duke e njohur dashurinë dhe lirinë, a mund ta detyroj një njeri tjetër, i cili e ka kaluar gjithë jetën e tij me sakrifica dhe që, me këtë dënim të fundit, pritet të kalojë mbi 35 vjet në burgje, t’i përshtatet një sistemi që i ka sjellë vetëm vuajtje dhe padrejtësi? Si mund t’i kërkoj të pranojë kujdesin e atyre institucioneve, kur ai ndihet i tradhtuar pikërisht nga drejtësia që duhej ta mbronte? U ndjeva aq e pafuqishme përballë kësaj fuqie ndërkombëtare kaq të padrejtë. “Ne jemi këtu, Babi. Të duam të fortë, të duam të shëndetshëm.” Kaq pata fuqi t’i them“, shton Gresa.
“Dënimi i Babit nuk është një gabim që pret të korrigjohet. Është një padrejtësi!”, shkroi në Facebook, Gresë Krasniqi.