I Dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovë dhe Serbisë, Miroslav Lajçak do të jetë për një vizitë dy ditore në Kosovë, me 18 dhe 19 qershor.
Gjatë kësaj vizite, emisari evropian pritet të zhvillojë takime edhe me krerët e shtetit, Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Gazeta Online Reporteri.net e ka parë agjendën e emisarit evropian. Aty parashihet se takimi me të parën e shtetit do të zhvillohet të martën në Presidencë, duke filluar nga ora 16:45 deri në 17:30.
Më pas, nga ky takim, agjenda parasheh që Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak do të niset drejt objektit të Qeverisë, për të zhvilluar takimin me kryeministrin Kurti.
Takimi mes tyre pritet të zhvillohet nga ora 17:35 deri në 18:10.
Të njëjtat burime të Gazetës Online Reporteri.net thonë se pas Kurtit, Lajçak do të pritet në takim edhe nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.
Emisari i BE’së, në Prishtinë parashihet të arrijë rreth orës 15:30. /Reporteri.net/