Takimi i ri ministror i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor do të mbahet të hënën në Luksemburg, në margjinat e Këshillit të Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian.

“Pas bisedimeve të brendshme brenda Këshillit të Punëve të Jashtme, ministrave të vendeve anëtare të BE-së do t’u bashkohen edhe partnerët nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia dhe Kosova, për të shkëmbyer mendime mbi Ballkanin Perëndimor,” u njoftua nga Këshilli i BE-së.

Sipas N1, ardhjen e kanë konfirmuar ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi Filip Ivanovic, ai i Serbisë Marko Gjuriq dhe ai i Bosnjës dhe Hercegovinës Elvedin Konakovic, dhe pritet gjithashtu ardhja e ministrave të Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani, Shqipërisë Igli Hasani dhe Kosovës Donika Gërvalla.

Reklamë

Përveç rishikimit të situatës, pritet që në takim të konfirmohet se Mali i Zi ka përmbushur kriteret kalimtare në kuadër të kapitujve të negociatave 23 (për drejtësinë dhe të drejtat themelore) dhe 24 (për drejtësinë, lirinë dhe sigurinë) dhe është i gatshëm të fillojë mbylljen e kapitujve të negociatave ku reformat kanë përfunduar.

Takimet midis ministrave të vendeve anëtare të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor janë iniciuar nga shefi në largim i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, në maj të vitit 2021 me qëllim të intensifikimit të bashkëpunimit të ndërsjellë para zgjerimit.