×
  • Lajme
  • Lajme / Flasin nga MPJD

    Petkoviqit i refuzohet vizita në Kosovë

    Reporteri
    26 Qershor 2024 | 14:03

    Petar Petkoviqit i është  ndaluar një vizitë në Kosovë, që kishte planifikuar ta zhvillonte në datën 28 qershor.

    Nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës kanë thënë për gazetën online Reporteri.net se Petkoviqit  i është refuzuar vizita në Kosovë, “për shkak të shkeljes së marrëveshjes për vizitat e ndërsjella, deklaratat propaganduese dhe gjuhën e tij provokuese kundër Kosovës dhe qytetarëve të saj”.

    Nga e ashtuquajtura Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë kanë reaguar duke thënë se vizita e Petkoviqit ishte paralajmëruar në përputhje me marrëveshjen për lirinë e lëvizjes dhe qëllimi ishte i karakterit fetar.

    Petkoviq synonte të qëndronte në Kosovë për festën e Vidovdanit, që serbët e festojnë çdo vit në Gazimestan. Në organizimet e tilla ka pasur arrestime për nxitje të urrejtjes fetare e kombëtare.

    Vitin e kaluar qytetarë serbë u mblodhën në Mitrovicë të Veriut dhe në Graçanicë, ku u paraqit një dokument i quajtur “Deklarata e Vidovdanit”.

    Në deklaratë pretendohej  se komuniteti serb në Kosovë është “i ekspozuar ndaj dhunës”.

    Gazimestani në Kosovë njihet edhe për fjalimin e ish-presidentit të Serbisë, Sllobodan Millosheviq, i cili, më 28 qershor 1989, nuk i përjashtoi “betejat e armatosura”. /Reporteri.net/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!