Miliona britanikë janë duke votuar në zgjedhjet e përgjithshme.
Qendrat e votimit do të jenë të hapura deri në orën 22:00 me kohën lokale të Britanisë së Madhe.
Këto kanë qenë zgjedhjet e para në të cilat votuesit është dashur të kenë edhe letërnjoftimin dhe të parat që mbahen në muajin korrik që prej vitit 1945.
Më shumë se 46 milionë njerëz kanë të drejtë vote për të zgjedhur 650 deputetë; partive u duhen të paktën 326 ulëse për të formuar qeverinë shumicë.
Zgjedhjet e 4 korrikut janë paraqitur si gjykim i 20 muajve të punës së kryeministrit Rishi Sunak, por edhe të katër kryeministrave konservatorë para tij, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Sondazhet, analistët dhe politikanët kanë paralajmëruar se opozita e qendrës së majtë, Partia Laburiste ka avantazh të madh ndaj konservatorëve që kanë qenë në pushtet tash e 14 vjet.
Sondazhet kanë treguar se partia e Rishi Sunak do të ndëshkohet për dështimin në realizimin e premtimeve që i ka bërë gjatë 14 vjetëve në pushtet. Keir Stramer pritet të fitojë zgjedhjet teksa analistët kanë thënë se mbetet të shihet se sa fuqishëm do të fitojë.
Gjatë kësaj periudhe, qeverisja konservatore është përballur me kritika të ashpra për një sërë dështimesh dhe skandalesh që kanë minuar besimin e publikut. Politikat e tyre ekonomike, trajtimi i krizave shëndetësore dhe sociale, si dhe ndarja e madhe brenda partisë vetë, kanë kontribuar në pakënaqësi të gjerë ndërmjet votuesve.
Në veçanti, trajtimi i pandemisë së COVID-19 dhe menaxhimi i krizës ekonomike që pasoi kanë qenë cak i kritikave të mëdha.
Ndërkohë, Partia Laburiste ka arritur të tërheqë vëmendjen e publikut me një platformë të fortë dhe premtime për ndryshim dhe përmirësim. Lideri i tyre ka prezantuar një vizion të ri për vendin, duke u fokusuar në çështje si përmirësimi i shërbimeve publike, rritja ekonomike e qëndrueshme dhe drejtësia sociale.