Arrestohet në Gjermani shtetasi shqiptar, dyshohet se ishte pjesë e një grupi ekstremist
Një shtetas shqiptar, i identifikuar si Rexhino “Gino” A., është arrestuar në Gjermani, pasi u paraqit vetë në një stacion policor në Hannover, nën dyshimet për përfshirje në grupin ekstremist të majtë “Hammerbande”.
Sipas Bild, shqiptari u paraqit në polici të enjten në mbrëmje, ndërsa Prokuroria e Përgjithshme Federale urdhëroi arrestimin e tij në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar më herët.
Ai dyshohet se në shkurt të vitit 2023 iu bashkua një organizate militante të ekstremit të majtë, të lidhur me Johann G., e cila dyshohet se sulmoi persona të identifikuar si pjesë e spektrit të djathtë ekstrem në Budapest të Hungarisë.
Sipas hetimeve, më 11 shkurt 2023, ai dhe persona të tjerë dyshohet se sulmuan dy njerëz duke përdorur sprej irritues, shkopinj dhe çekiç. Njëri prej viktimave raportohet se mori të paktën 15 goditje në kokë.
Rexhino A. dyshohet për anëtarësim në një organizatë kriminale dhe lëndim të rëndë trupor. Akuzat ndaj tij ende duhet të shqyrtohen nga drejtësia.
Sipas raportimeve, ai ishte kërkuar ndërkombëtarisht prej disa vitesh.
Fillimisht ishte arrestuar në Finlandë, por më pas dyshohet se u largua drejt Francës, ku u arrestua sërish në nëntor të vitit 2024. Ai u lirua në mars të vitit 2025, ndërsa më vonë një gjykatë franceze lejoi ekstradimin e tij drejt Gjermanisë.
Megjithatë, në vend që të priste ekstradimin, ai udhëtoi vetë drejt Gjermanisë dhe u paraqit në polici.
Avokati i tij ka deklaruar se shpreson që klienti i tij të ketë një proces të drejtë gjyqësor në Gjermani.