×
  • Lajme
  • Ekonomi

    ATK-ja bllokon llogaritë e mbi 1200 bizneseve, si shlyen borxhet tatimore

    Reporteri
    16 Maj 2021 | 20:36

    Që nga 1 maji, Administrata Tatimore e Kosovës ka nisur bllokimin e llogarive të bizneseve të cilat nuk i kanë shlyer detyrimet tatimore. Në një përgjigje dhënë të mërkurën, ATK-ja ka bërë të ditur se nga 1 e deri më 5 maj ka bllokuar mbi 1200 llogari.


    “Deri më datën 05.05.2021, numri i llogarive të bllokuara është mbi 1200. ATK-ja nga data 01.05.2021 vazhdon me procedurat e bllokimit të llogarive ndaj të gjithë tatimpaguesve të cilët kanë borxhe tatimore. Te bllokimi i llogarive nuk ka kufizime shuma e borxhit, por prioritetet përcaktohen në trajtimin e borxheve të mëdha”, thuhet në përgjigjen e ATK-së.

    Në janar të këtij viti, me vendim të Qeverisë, bllokimi i llogarive ishte shtyrë deri më 30 prill si masë lehtësuese për tatimpaguesit, për shkak të gjendjes së krijuar nga pandemia COVID-19.

    Gjatë kësaj kohe bizneseve u është dhënë mundësi që të lidhin marrëveshje me ATK-në për pagimin e borxheve me këste.

    “Në periudhën janar-prill 2021, janë lidhur 799 marrëveshje me borxh total në vlerë 30,093,862.48€ dhe pagesë paradhënieje për marrëveshje në vlerë 5,969,143.10€. Totalin e borxheve e përbëjnë në pjesën më të madhe borxhet mbi 3000.00€, përkatësisht 82% të borxhit total e përbëjnë 7030 tatimpagues”, thuhet tutje në përgjigjen e ATK-së.

    Por, sipas ekspertit të Ekonomisë, Safet Gërxhaliut, bllokimi i llogarive të bizneseve të cilat kanë pësuar nga pandemia është goditje tjetër që kësaj radhe po u jepet nga shteti.

    “Në vend që shteti të jetë dorë e zgjatur për të mbështetur rimëkëmbjen ekonomike dhe një kontinuitet të aktiviteteve afariste, kohëve të fundit ka filluar bllokimi i llogarive bankare të sektorit privat, që është vërtet edhe një grusht sa i përket ambientit biznesor në Kosovë. Është koha kur duhet të ketë më tepër dialog publiko-privat dhe sektori privat, meqë nuk është ndihmuar sa dhe si duhet, të paktën të mos gjobitet”, ka thënë ai.

    Për bizneset që nuk shlyejnë borxhet në ATK-së, përveç bllokimit të llogarisë, masat mund të shkojnë deri në konfiskim pasurisë, shitje të pasurisë së konfiskuar, deri te ngritja e padive penale në fushën e tatimeve.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!