×
  • Lajme
  • Ekonomi

    ATK ka një njoftim të rëndësishëm për bizneset rreth shlyerjes së ndëshkimeve

    Reporteri
    23 Qershor 2021 | 16:20

    Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar tatimpaguesit se kanë afat vetëm deri më 30 qershor që të paguajnë tatimin bazë dhe interesin në mënyrë që të mund të përfitojnë nga shlyerja e ndëshkimeve.


    Në një komunikatë për media nga ATK-ja njofton se “Me qëllim të zbatimit të Vendimit Nr. 04/60 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, datë 27.01.2021, për lehtësimin e ushtrimit të aktivitetit ekonomik të të gjithë tatimpaguesve, si pasojë e gjendjes së vështirësuar ekonomike të krijuar nga pandemia COVID-19, Administrata Tatimore e Kosovës, ju njofton se hiqen ndëshkimet për të gjithë tatimpaguesit të cilët kryejnë pagesën e plotë të tatimit bazë (kryegjësë) dhe interesit”.

    Sipas ATK-së, të gjithë personat fizikë dhe juridikë, të cilët kanë obligime tatimore të papaguara ndaj ATK-së, për të gjitha periudhat dhe llojet e tatimeve/kontributeve, mund të përfitojnë nga falja e ndëshkimeve, me kusht që të njëjtit, të kryejnë pagesën e plotë të tatimit bazë (kryegjësë) dhe interesit deri më 30 qershor 2021.

    Pra, heqja e ndëshkimeve do të bëhet për të gjithë tatimpaguesit, nëse:

    • Tatimpaguesit bëjnë pagesën e njëhershme të tatimit bazë (kryegjësë) dhe interesit;

    • Tatimpaguesit bëjnë marrëveshje me ATK-në për pagesë me këste;

    • Tatimpaguesit janë në marrëveshje me ATK-në dhe paguajnë tatimin bazë (kryegjënë) dhe interesin.

    “Vetëm tatimpaguesit të cilët shfrytëzojnë këtë mundësi dhe përmbushin detyrimin e kërkuar brenda periudhës ligjore deri me 30 qershor 2021, do të përfitojnë nga falja e ndëshkimeve”, thuhet tutje në komunikatë.

    Heqja e ndëshkimeve për tatimpaguesit të cilët paguajnë tatimin bazë (kryegjënë) dhe interesin, për të gjitha periudhat dhe llojet e tatimeve/kontributeve, do të bëhet në mënyrë automatike nga ATK, pra tatimpaguesi nuk obligohet të aplikoj për heqje të ndëshkimeve.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!