×
  • Lajme
  • Ekonomi

    Azemi: Pagesa e polisave kufitare për bashkatdhetarët do ta rëndojë gjendjen e punëtorëve të sektorit privat

    Reporteri
    23 Qershor 2021 | 16:48

    Kryetari i Sindikatës të Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka thënë se vendimi i Qeverisë Kurti II, për pagesën e polisave kufitare për bashkatdhetarët do ta rëndojë edhe më shumë gjendjen e punëtorëve në sektorin privat.


    Ai ka thënë se është e papranueshme që punëtorëve me pagë minimale prej 170 eurosh t’u merren para për t’i paguar polisat e sigurimeve për bashkatdhetarët, të cilët kanë standard më të lartë të jetesës.

    Azemi ka thënë se ky vendim ka shkaktuar pakënaqësi të madhe tek punonjësit të cilët paguhen me pagë minimale prej 170 eurosh.

    “Çdo vendim i Qeverisë së Kosovës i cili shkon në favor të çdo kategori, qoftë të njerëzve që jetojnë në Kosovë, por edhe bashkatdhetarëve ne na gëzon, por megjithëkëtë me vendimin që e ka bërë Qeveria e Kosovës, jemi shumë të irrituar, pasi nëse e bëjmë një krahasim me standardin jetësor të punëtorëve tonë të cilët për atë taksë duhet të paguajnë nga paga e tyre minimale prej 170 eurosh e që i bie se duhet të financohen njerëzit e kategorisë së pasur nga pagat e të varfërve”, ka thënë Azemi për gazetën “Epoka e re”.

    Sipas tij, me anë të këtij vendimi qeveria ka vendosur që nga të varfrit t’i paguajë të pasurit.

    Ai ka potencuar se në vend të këtij vendimi kjo qeveri do të duhej ta rriste pagën minimale dhe të krijonte kushte për punonjësit e sektorit privat, siç ishte premtuar.

    “Po ta rriste pagën minimale siç ka premtuar kryeministri i Kosovës dhe të krijonte kushte për punëtorët e sektorit privat siç thoshte se “do ta mbikëqyrim zbatimin e Ligjit të punës dhe marrëveshjet kolektive, atëherë do të ishte më ndryshme, megjithëkëtë jemi të indinjuar karshi këtij vendimi e që për premtimet që na janë dhënë ne, nuk po lëvizet fare. Për ne ky vendim është i paarsyeshëm, sikur kjo të shkonte paralel me krijimin e kushteve për punonjësit e sektorit privat, atëherë t’i gëzoheshim këtij vendimi. Pra, me këtë vendim po merren paratë nga fukaraja për t’i ndihmuar të pasuritë. Ne po flasim vetëm nga aspekti jonë të ndash mjete nga paga jonë prej 170 euro për njerëzit që marrin mijëra euro, për ne është vendim i paarsyeshëm që ka shkakut pakënaqësi sidomos tek punëtorët që marrin pagën minimale”, ka deklaruar Azem.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!