×
  • Lajme
  • Ekonomi

    Kosova dhe Shqipëria do të krijojnë “Bankën e Diasporës”

    Reporteri
    16 Qershor 2021 | 15:35

    Në Ditën Ndërkombëtare të Remitancave, të mërkurën e 16 qershorit, Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, foli për projektin e ngritjes së një banke të Diasporës.


    Në aktivitetin që organizohet nga Agjencia Kombëtare e Diasporës, Majko u shpreh se një nga marrëveshjet midis Shqipërisë dhe Kosovës është konkretizimi në të ardhmen i këtij institucioni të përbashkët financiar.

    Për Majkon, tema e Remitancave është konsideruar si vetëm një e ardhur. Por në fakt, Remitancat i takojnë një rendi të ri të alfabetit ekonomik, sipas tij.

    Majko deklaroi se në Shqipëri, Remitancat përfshijnë të ardhurat më të mëdha për shtetin shqiptar me rreth 1 miliard dollarë.

    “Banka e Shqipërisë dhe Instat-i ka disa vite që kanë futur tek të dhenat e tyre edhe Remitancat e Diasporës”, nënvizoi Majko.

    Sakaq, ai shpjegoi se aktualisht të ardhurat për Remitancat përdoren për ndërtim, shëndetësi dhe arsim.

    Fjala e zëvendës ministres së Financave: 

    Zv. ministrja e Financave, Vasilika Vjero deklaroi se Remitancat janë gjithmonë të rëndësishme dhe i kanë rezistuar momenteve më të vështira të shqiptarëve.

    Ajo u shpreh se gjatë pandemisë Remitancat pësuan rënie, por gjatë tre-mujorit të parë të vitit 2021 shihet një rritje e tyre.

    “Pandemia ka sjellë uljen e pagesave në menyrë cash dhe rritjen e tyre në mënyrë elektronike”, tha Vjero.

    Ministria e Financave, shtoi Vjero, është mbështetëse e Remitancave dhe Diasporës. Ajo theksoi mbështetjen për ata individë që duan të kthehen në vendin e tyre dhe të investojnë.

    Vjero solli në vëmendje dy nisma. “Gati për Shqipërinë”, ku emigrantë janë të ftuar të kthehen për të punuar për të mirën e vendit. Financimin e bizneseve apo sipërmarrjeve të reja, për secilin që do të kthehet dhe ka vendosur të bëjë biznes në Shqipëri, Vjero shtoi se do të përfitojë 5 mijë euro. Në të përfshihen dhe trajnime apo këshillime.

    Kuptimi i Remitancave dhe i ditës

    Remitancat përfaqësojnë të ardhurat që migrantët dërgojnë në vendlindje për familjarët e tyre. Kjo datë është një nderim edhe i përpjekjeve të qindra-mijëra migrantëve shqiptarë, të cilët me të ardhurat e tyre, sigurojnë një të ardhme më të mirë për familjet në Shqipëri. /Albanian Post

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!