×
  • Lajme
  • Ekonomi

    Fehmi Mehmeti: 2021-ta pritet të jetë një vit më pozitiv për ekonominë

    Reporteri
    09 Prill 2021 | 16:46

    Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka thënë se pandemia e COVID-19 tash e mbi një vit ka prekur shumë sektorë.


    Ai ka thënë se ndikimi i koronavirusit është vërejtur që nga rënia ekonomike e regjistruar më 2020. Por sipas tij gjërat pritet të ndryshojnë për vitin 2021.

    “Për sa i përket vitit 2021, fatkeqësisht problemet me pandeminë po vazhdojnë të jenë të pranishme, mirëpo ekonomia është në përgjithësi e hapur, prandaj nëse vazhdohet me këtë ritëm mund të themi se pritet të jetë një vit më pozitiv për ekonominë sesa viti paraprak. Për më tepër, lehtësimi i qasjes në financa për sektorin privat përmes skemës së garantimit të kredive po ashtu pritet të luajë një rol të rëndësishëm në nxitjen e aktivitetit ekonomik”, ka deklaruar Mehmeti.

    Në këtë intervistë për Klan Kosova, Mehmeti ka folur edhe për sektorin bankar dhe institucionet bankare, investimet e huaja direkte e deri te ndikimi i COVID-19 në këtë sektor.

    Cili ka qenë ndikimi i pakove ekonomike milionëshe të futura në ekonomi nga ana e Qeverisë dhe po ashtu edhe tërheqja e 10 përqind të mjeteve nga Trusti Pensional i Kursimeve?

    Fehmi Mehmeti: Padyshim që pakot ekonomike dhe tërheqja e 10 përqind të mjeteve të Trustit Penisonal vlerësohet të kenë ndikuar në zbutjen e efekteve negative në ekonomi të shkaktuara nga pandemia COVID-19.

    Sa është norma e interesit të kredive sot në Kosovë dhe cili është numri i institucioneve financiare që operojnë në vend?

    Fehmi Mehmeti: Normat e interesit në kredi vazhduan trendin rënës, duke zbritur në 6.0 përqind nga 6.4 përqind sa ishin në periudhën e njëjtë të periudhës së kaluar, gjë që tregon për lehtësim të vazhdueshëm të qasjes në financim bankar.

    Struktura e sistemit financiar përbëhet nga gjithsej 121 institucione financiare, të cilat janë licencuar dhe regjistruar, si dhe ushtrojnë veprimtarinë e tyre në Kosovë bazuar në legjislacionin e aplikuar në Republikën e Kosovës dhe në kuadrin rregullativ në fuqi të BQK-së.

    Viti 2020 sipas raporteve zyrtare ka shënuar 7.2 përqind rënie ekonomike. Si ka nisur 2021-ta sa i përket ekonomisë, a do të arrijë që të këndellet ekonomia dhe sa mund të jetë rritja maksimale ekonomike këtë vit?

    Fehmi Mehmeti: Vlerësimet e deritanishme kanë treguar për një rënie ekonomike prej 7.2% për vitin 2020, mirëpo këto vlerësime janë në rishikim e sipër duke pasur parasysh edhe fluksin mjaft të madh të vizitave nga diaspora jonë gjatë festave të fundvitit, gjë e cila mund të ketë përmirësuar gjendjen deri në një masë kundrejt parashikimeve fillestare.

    Për sa i përket vitit 2021, fatkeqësisht problemet me pandeminë po vazhdojnë të jenë të pranishme, mirëpo ekonomia është në përgjithësi e hapur, prandaj nëse vazhdohet me këtë ritëm mund të themi se pritet të jetë një vit më pozitiv për ekonominë sesa viti paraprak. Për më tepër, lehtësimi i qasjes në financa për sektorin privat përmes skemës së garantimit të kredive po ashtu pritet të luajë një rol të rëndësishëm në nxitjen e aktivitetit ekonomik.

    Sidoqoftë, përformanca e ekonomisë edhe gjatë këtij viti do të jetë e lidhur ngusht me zhvillimet rreth pandemisë, prandaj sa më shpejtë që të tejkalojmë problemet me pandeminë aq më shpejtë ekonomia do t’i kthehet normalitetit dhe rritjes.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!