×
  • Lajme
  • Ekonomi

    Ministri Murati për shtesat e pensionistëve: Ishin paraparë vetëm për tre muaj, ne i vazhduam 100 euro

    Reporteri
    22 Prill 2021 | 12:42

    Ministri i Financave në Qeverinë e Kosovës, Hekuran Murati, është sqaruar lidhur me vendimin e djeshëm për uljen e shtesave të pensioneve.


    Ai ka thënë se Qeveria e kaluar në kohë fushate kishte marrë vendim për të ndarë nga 30 euro shtesa për vetëm tre muaj, janar, shkurt dhe mars, shkruan Reporteri.net.

    Sipas tij, pas marsit e tutje shtesat ishte paraparë të ndalen në tërësi.

    Tutje, Murati ka thënë se krejt çka do të merrnin pensionistët pa vendimin e djeshëm të qeverisë, do të ishte shuma prej 75 ose 90 eurove, ashtu siç është e planifikuar në buxhetin e vitit 2021, të miratuar në Kuvend.

    Ky është postimi i tij i plotë:

    Sqarim lidhur me vendimin e djeshëm për shtesat e ndara për skemat sociale dhe pensionale

    Nga pakoja e djeshme prej 20 milionë euro e miratuar në qeveri, pjesa më e madhe e saj, 8.5 milionë euro janë ndarë për të mbështetur skemat e pensioneve që marrin nën 100 euro, si dhe familjet në asistencë sociale.

    Sa u përket shtesave për pensionet bazike, qeveria e kaluar në kohë fushate, kishte marrë vendim për të ndarë nga 30 euro për vetëm tre muaj (janar, shkurt dhe mars).

    Dhe pas marsit e tutje, shtesat ishte paraparë të ndalen në tërësi.

    Me pakon e re, kemi shtuar 8.5 milion euro, aty ku qeveria e kaluar kishte buxhetuar 0 euro shtesa. Pra për muajt prill e tutje, nuk ka pasur shtesa të planifikuara.

    Krejt çka do të merrnin pensionistët pa vendimin e djeshëm të qeverisë, do të ishte shuma prej 75 ose 90 eurove, ashtu siç është e planifikuar në buxhetin e vitit 2021, të miratur në Kuvend.

    Ministria e Finacave, Punës dhe Transfereve, ka paraparë që për kategoritë e skemave pensionale që marrin nën 100 euro – e këtu ka kategori me 75 euro dhe me 90 euro – të aplikohet një shtesë, asisoj që shuma totale e pensionit me gjithë shtesën të jetë 100 euro.

    Këto shtesa do të vazhdojnë përgjatë tërë vitit, njësoj sikurse mbështetja për përfituesit e asistencës sociale.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!