×
  • Lajme
  • Ekonomi

    Në vitin 2020 vlera e kredive të reja nga sektori bankar ishte 1.47 miliard euro

    Reporteri
    12 Prill 2021 | 12:14

    Guvernator i Bankës Qendrore i Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, ka thënë se sektori bankar ka vazhduar ta mbështesë ekonominë përmes rritjes së mëtejme të kreditimit, pavarësisht prej ngritjes së nivelit të rreziqeve.


    Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se gjatë periudhës janar-dhjetor 2020 vlera e kredive të reja nga sektori bankar ishte 1.47 miliard euro, kurse nga muaji mars 2020 deri në muajin shkurt 2021 vlera e kredive të reja nga sektori bankar është 1.43 miliard euro.

    Sipas tij, pavarësisht prej situatës së krijuar si rezultat i pandemisë, pozita e likuiditetit të sektorit bankar vazhdon të mbetet në nivel të lartë. Mehmeti ka treguar se raporti i mjeteve likuide ndaj detyrimeve afatshkurtra në fund të vitit 2020 ishte 39.8 për qind, që është lart mbi minimumin e kërkuar rregullator prej 25-përqindësh.

    “Sektori bankar ka vazhduar ta mbështesë ekonominë përmes rritjes së mëtejme të kreditimit përkundër ngritjes së nivelit të rreziqeve. Gjatë periudhës janar-dhjetor 2020 vlera e kredive të reja nga sektori bankar ishte 1.47 miliard euro, derisa nga muaji mars 2020 deri në muajin shkurt 2021 vlera e kredive të reja nga sektori bankar është 1.43 miliard euro”, tha Mehmeti.

    “Sektori bankar vazhdon të gëzojë besim të lartë te publiku, besim ky i shprehur edhe me rritjen e vazhdueshme të depozitave. Në muajin shkurt 2021 vlera e përgjithshme e depozitave ishte 4.351 miliardë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 11.4-përqindësh. Ritmi i rritjes së gjithsej depozitave diktohet kryesisht nga depozitat e ekonomive familjare, kategori që dominon strukturën e gjithsej depozitave në sektorin bankar me pjesëmarrje prej 68-përqindësh në totalin e depozitave, e të cilat në shkurt 2021 shënuan rritje prej 11.6-përqindësh”, tha ai.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!