×
  • Lajme
  • Ekonomi

    Nga Qeveria e re kërkohet tërheqja e investimeve të huaja për të krijuar vende pune

    Reporteri
    16 Prill 2021 | 13:06

    Për të nxitur investimet e huaja direkte dhe për të përdorur potencialin akoma të pashfrytëzuar të diasporës kosovare në zhvillimin ekonomik të vendit, kërkohet nga Qeveria e re e Kosovës realizmi i premtimeve për tërheqjen e investimeve të huaja dhe nga diaspora të cilat kanë ndikim në rritjen e punësimit në Kosovë.


    Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, e mbështetur nga GIZ Kosovo, ka realizuar dy studime për t’i dalë në krah Qeverisë së Kosovës me informacione dhe rekomandime.

    Drejtoresha e Odës Ekonomike Gjermane-Kosovare, Nora Hasani theksoi se synojnë fuqizimin e marrëdhënieve me mikun dhe donatorin më të madh të Kosovës, Gjermaninë.

    Hasani tha se me rritjen e interesimit të kompanive të mëdha evropiane dhe gjermane për Ballkanin Perëndimor qoftë për të investuar apo për ta bërë diversifikimin e furnitorëve të tyre, Ballkani Perëndimor, sikurse edhe Kosova, është në fokus.

    “Duke qenë se Gjermania është miku ynë para dhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe është investitori numër një në Kosovë, partneri kryesor tregtar i Kosovës, donatori më i madh bilateral, edhe në Gjermani jeton grupi më i madh i diasporës shqiptare, ne pra e kemi për synim që t’i forcojmë këto marrëdhënie bilaterale ekonomike me Gjermaninë, dhe mu tani kur është rritur interesimi i kompanive evropiane, por edhe gjermane për Ballkanin Perëndimor, qoftë për të investuar apo për të diversivikuar furnitorët e tyre, fokusi është edhe në Kosovë. Tani për t’i dalë në ndihmë qeverisë së re që të hartojë politika sa më të mira për tërheqjen e investitorëve të huaj, në veçanti atyre gjermanë, por edhe për ta përkrahur diasporën që të nxisë më shumë investime të diasporës në Kosovë ne po dalim me dy studime”, theksoi Hasani.

    Ajo shtoi se këto studime do të shërbejnë edhe për Odën, për punën e mëtutjeshme, jo vetëm në këshillimin e investitorëve potencialë gjermanë, por edhe në nxitjen e investimeve nga diaspora në Kosovë.

    Ndërsa, Jan-Axel Voss, zëvendësambasador në Ambasadën Gjermane në Prishtinë, theksoi me këtë rast se dymbëdhjetë muajt e fundit kanë qenë një kohë shumë e vështirë për Kosovën, për njerëzit e saj dhe për kompanitë e saj.

    Derisa diplomati gjerman Voss shtoi se është koha tani për Qeverinë e re që të tërheqë investime të huaja dhe nga diaspora për të krijuar vende pune në Kosovë.

    “Si mundet Kosova të paraqesë veten më mirë, në mënyrë që të tërheqë investitorë nga Gjermania? Për këtë qëllim, janë publikuar dy botime. Atëherë ishte edhe pyetja: Si të tërheqim investimin e diasporës në Kosovë? Pse diaspora nuk po investon më shumë, dhe pse ata i shpenzojnë shumicën e parave të tyre në prona dhe konsum, në vend se t’i shpenzojnë në krijimin e vendeve të reja të punës për të rinjtë kosovarë? Dhe çfarë ndikimi ka një investim i vogël që vjen nga diaspora kur ata vendosin të investojnë? Pra, gjithashtu edhe këto aspekte u hulumtuan në dy botimet të cilat prezantohen sot. Mendoj se nuk do të kishte kohë më të mirë sesa tani: Qeveria e re e Kosovës ka thënë gjatë fushatës zgjedhore, se dëshiron të tërheqë investime të tilla nga diaspora dhe në këtë mënyrë të krijojë vende pune në Kosovë. Unë besoj se të dyja këto botime ofrojnë njohuri interesante mbi atë që mund të bëhet, dhe çfarë do të jetë e dobishme të bëhet nga kjo qeveri e re”, thekson Voss.

    Krenare Loxhaj, këshilltare për politika të migrimit tek Programi për Migrim dhe Diasporë në kuadër të GIZ-it gjerman në Kosovë, tha se qëllim kryesor i këtij projekti është fuqizimi i marrëdhënieve të diasporës me shtetin amë, njëkohësisht dhe rritja e investimeve të huaja direkte në vend.

    “Për këtë qëllim kemi përkrahur edhe projektin të cilin po e implementon Oda (Ekonomike) Gjermane në Kosovë, e cila parimisht ka për qëllim edhe fuqizimin e marrëdhënieve të diasporës së Kosovës në Gjermani. Gjithashtu edhe për të ofruar ose për t’i zhvilluar lidhjet e bizneseve gjermane me Kosovën si një vend potencial ku munden edhe të zhvillohen dhe të vijnë më shumë investime të huaja direkte. Për më shumë, qëllimi ynë si program edhe përmes këtij projekti dhe hulumtimeve është që t’i mbështesim ose për t’i ndihmuar institucioneve të Qeverisë së Kosovës për t’i hartuar politikat të cilat i përgjigjen nevojave dhe kërkesave për të fuqizuar marrëdhëniet e diasporës me Kosovën dhe për rritjen e investimeve të huaja në Kosovë”, theksoi Loxhaj.

    Drejtoresha menaxhuese në “Kantar”, Vlora Basha potencoi se gjetjet e studimit nxjerrin në pah se, ajo që e frenon diasporën nga investimi në Kosovë nuk ndodhet në një zinxhirë të vetëm, por për më tepër në varg të zinxhirit ekonomik dhe social.

    Ajo ngriti shqetësimin se korrupsioni dhe jo stabiliteti politik janë një prej pengesave kryesore që e ndalon diasporën për të investuar në Kosovë.

    “Imazhi i përgjithshëm i vendit, respektivisht si perceptohet Kosova nga bota e jashtme, i cili imazh marrë parasysh lajmet dhe etiketimet që janë bërë për Kosovën në dy dekadat e fundit, në asnjë mënyrë nuk reflekton që Kosova është vend i sigurt dhe i pa korruptuar ose vend i mundësive. Pra kjo është një prej pengesave kryesore që e ndalon diasporën për të investuar në Kosovë. Pengesat e tjera, që ndërlidhen me funksionimin e vendit, janë edhe ndryshimet e shpeshta të qeverisjes së vendit, që kanë shënuar ndikim negativ në këtë drejtim”, deklaroi Basha.

    Gëzim Gjikolli nga “Deloitte” veçoi në prezantimin e tij se sa kanë pasur ndikim investimet e huaja direkte te banorët e Kosovës dhe ndarjen e investimeve gjermane nëpër shtete. Ai tregon se parashihet rritje e investimeve të huaja për Kosovën.

    “Mesatarisht vërehet se investimet e huaja direkte ka pasur 124 euro investime për kokë banori. Gjithashtu parashihet që ne vitet 2020-2023 do të ketë një rritje të investimeve të huaja direkte prej 4.7 përqind. Sa i përket Gjermanisë, Gjermania njihet një prej investitorëve të huaj në vendet e Evropës, ndër ato më të mëdhatë. Shihet edhe ndarja për vendet e ndryshme, është Turqia, Rumania, është Serbia me 6.5 përqind të investimeve gjermane, ndërsa Kosova radhitet diku me më pak se 1 përqind”, tha Gjikolli.

    Në fund, ai theksoi se duhet të hartohet strategjia për investime të huaja, pasi sipas tij, sektorët më tërheqës potencial për investime në Kosovë janë sektorët e energjisë së ripërtritshme, turizmi, dhe industria e tekstilit. /

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!