Nga viti 2016 – 2020, Qeveria u fut në borgje për 348 mijë euro në çdo ditë

Të dhënat e fundit nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve për borxhin publik të Kosovës të vitit të kaluar, tregojnë se ky borxh u rrit në mbi 1.4 miliard euro.


Ndërsa si përqindje e Bruto Produktit Vendor (BPV), sillet rreth 22 për qind. Sa 60 për qind e Buxhetit të Kosovës i bie nëse krahasohet me buxhetin për vitin 2021, i cili është planifikuar të jetë 2.4 miliardë euro.

Në bazë të Ligjit për borxhet, borxhi publik përkufizohet si tërësia e borxhit shtetëror dhe atij komunal.

Borxhi publik, mund të jetë borxh i drejtpërdrejtë por edhe i nën-huazuar që domethënë se Qeveria e Kosovës me një marrëveshje trepalëshe ka të drejtë të nënë-huazoj për një entitet tjetër publik.

Borxhi i Përgjithshëm, përbëhet nga borxhi i brendshëm dhe borxhi ndërkombëtar. Borxhi e brendshëm i nënshtrohet juridiksionit vendor, ndërsa ai ndërkombëtar, mund t’i nënshtrohet juridiksionit të jashtëm.

Të dhënat e raportit për tremujorin e fundit të vitit 2020, të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve tregojnë se borxhi i përgjithshëm i Kosovës arriti në 1 miliard e 487.69 milionë euro.

Nga borxhin i përgjithshëm, 961.9 milionë euro është borxh i brendshëm ndërsa 525.80 milionë euro është borxh ndërkombëtarë.

Si përqindje e Bruto Produktit Vendor (BPV), në raportin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve thuhet se është 21.83 për qind.

Përgjatë periudhës pesëvjeçare nga 2016 deri 2020, të dhënat pasqyrojnë një rritje të frikshme të borxhit publik. Në vitin 2016, regjistrohet borxh publik më i ulët respektivisht 852.74 milionë euro ndërsa ai më i lartë është i vitit të kaluar prej 1.487 miliard euro.

Nga viti 2016 e këtej, i bie se borxhi publik u rritë për 634.95 milionë euro. Nëse kjo zbërthehet në vite, muaj e ditë gjatë kësaj periudhe i bie çdo vit nga 126.99 milionë euro, çdo muaj nga 52.91 milionë euro ndërsa çdo ditë rreth 348 mijë euro.Ndryshe, 31.65 milionë euro është vlera e garancive shtetërore në fundvitin e 2020-ës./kallxo.com/