Posta e Kosovës e shlyen borxhin 1.6 milionë euro ndaj ATK-së

Menaxhmenti i Postës së Kosovës njofton se ka arritur të përmbushë para afatit marrëveshjen për riprogramim të borxheve prej 1.6 milion euro ndaj Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).


“Me përmbushjen e parakohshme të obligimeve ndaj ATK-së, Menaxhmenti i Postës së Kosovës ka  arritur sukses për të shmangur gjobën prej afro 130 mijë euro, që do ta dëmtonte dukshëm Postën e Kosovës në këtë kohë krize.  Ky borxh ndaj ATK-së është grumbulluar nga viti 2018 deri më 2020, kur Posta udhëhiqej nga kryeshefa të tjerë ekzekutiv dhe borde të tjera të drejtorëve, në kushte të operimit normal, por që ishte grumbulluar dhe bartur vit pas viti duke u bërë barrë e rëndë për Postën, në kohën më të vështirë të pandemisë”, thuhet në kumtesë.

Kryeshefi Ekzekutiv, Xhevdet Smakiqi për këtë sukses të arritur, sot e ka njoftuar Bordin e Përkohshëm të Drejtorëve, në mbledhjen e mbajtur, ndërsa ka falënderuar për kontributin e tij, u.d ZKFTH, Enver Govori dhe secilin anëtar të menaxhmentit.

Gjithashtu, Kryeshefi Ekzekutiv ka falënderuar Bordin e Përkohshëm për mbështetje, si dhe të  gjithë punonjësit të cilët kanë duruar edhe vonesat e pagave në dobi dhe interes të stabilizimit financiar të Postës së Kosovës.