×
  • Lajme
  • Ekonomi

    Vjedhja e kasafortës në AUV: Përveç 1500 eurove, gjendeshin edhe këto gjëra

    Reporteri
    27 Tetor 2020 | 14:53

    Pas vjedhjes së bujshme të mbi 2 milionë euro në Thesarin e Shtetit, edhe një vjedhje tjetër ndodhi brenda institucioneve të vendit.


    Me datë 22 tetor në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) u vodh arka metalike në të cilën gjendeshin para dhe kartela mbushëse të telefonit.

    Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi, ka treguar për Gazetën Online “Reporteri.net” se në arkë kanë qenë mbi 1 mijë e 500 euro para.

    “Arka metalike në momentin qe është vjedhur ka pasur brenda, para në vlerë 1,523.58 euro (njëmijëeqesqinëenjëzetetre euro/ e pesëdhjetedy eurocent), dhe 30 euro kartela mbushëse telefonike (10×3.00=30.00 euro). Po ashtu aty kanë qen të vendosura kopje fizike të planeve arkitektonike dhe të inxhinierisë të objekteve të AUV-së, (planet e objekteve ekzistuese për tri objektet dy Laboratorët dhe ndërtesa e administratës qendrore). Këto planë shfrytëzoheshin për mirëmbajtjen e objekteve në raste të prishjes apo defekteve teknike qe paraqiteshin. Arka përdorej për ruajtjen e parave të imta (kesh) për nevoja të pagesave të ndryshme me vlerë deri në 100 euro”, ka thënë Thaçi për Reporteri.net.

    Ai thotë se AUV po bashkëpunon me organet kompetente qe sa me shpejt të ndriçohet rasti.

    Vjedhja kishte ndodhur më 22 tetor në ora 8:00 të mëngjesit, koha kur edhe fillon orari i punës, ku zyrtaret e tri zyrave i kanë gjetur dyert e hapura në objektin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisëdhe menjëherë kishin raportuar rastin në Polici.

    Lidhur me rastin e vjedhjes së kasafortës në AUV, Inspektorati Policor i Kosovës ka suspenduar një zyrtar policor, i cili dyshohet se ka mundësuar vjedhjen.

    Përmes një komunikate drejtuar mediave, IPK-ja ka bërë me dije se ai po dyshohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim të besimit” gjatë angazhimit të tij në punë sekondare në objektin e AUV-it.

    Dyshimet e para nga hetuesit e IPK-së janë se zyrtari policor nuk ka treguar nivelin e duhur të profesionalizmit dhe vigjilencës në raport me detyrat për të cilat kanë qenë të caktuara për të.

    “Zyrtari policor (tashmë i suspenduar) që ka qenë me detyrë në punë sekondare datën kur ka ndodhur incidenti në objektin e AUV-it, është duke u hetuar me dyshimin se ai ka kryer veprën penale “keqpërdorim i besimit”, thuhet në njoftim.

    Sipas IPK-së, hetuesit në koordinim të plotë me Prokurorinë do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!