Ford Motor Company ka njoftuar tërheqjen e mbi 355 mijë kamionëve në Shtetet e Bashkuara pas një defekti të konstatuar në panelin e instrumenteve, bëri të ditur Administrata Kombëtare e Sigurisë së Trafikut në Autostrada (NHTSA) të mërkurën.
Tërheqja prek modelet Ford 2025–2026: F-250 SD, F-350 SD, F-450 SD, F-550 SD si dhe modelin F-150 të vitit 2025, raporton Reuters.
Paneli i instrumenteve (IPC), i cili kontrollon ekranin digjital të makinës dhe shfaq informacione thelbësore si shpejtësia, niveli i karburantit dhe paralajmërimet e sigurisë, mund të mos funksionojë siç duhet kur ndez motori. NHTSA paralajmëroi se një dështim i tillë rrit ndjeshëm rrezikun e një aksidenti.
Ford ka bërë të ditur se defekti do të zgjidhet përmes një përditësimi softueri falas, që do të ofrohet si nëpërmjet koncesionarëve zyrtarë, ashtu edhe përmes një “over-the-air update” (OTA), duke e bërë procesin më të thjeshtë për pronarët e automjeteve.
Ky veprim vjen në një moment kur prodhuesit e makinave në SHBA përballen me rritjen e shqetësimeve rreth sigurisë digjitale dhe softuerike në automjete. Ekspertët theksojnë se me rritjen e integrimit të teknologjisë në makina, sfidat e sigurisë nuk lidhen më vetëm me defekte mekanike, por edhe me sisteme elektronike dhe programe kompjuterike.