×
  • Extra
  • Extra

    Dhimbjet e ciklit menstrual mund të mos jenë normale dhe të lidhen me një sëmundje të quajtur Endometriozë

    Reporteri
    05 Mars 2021 | 16:31

    1 në 10 gra përjetojnë dhimbje të forta gjatë ciklit menstrual (periudhës së gjakderdhjes) dhe jo nuk janë normale. Këto dhimbje mund të lidhen me një sëmundje të shëndetit riprodhues të quajtur Endometriozë. Dhe marsi është pikërisht muaji i ndërgjegjësimit ndaj kësaj sëmundjeje.


    Ishte blogerja Olivia Culpo që ndau eksperiencën e saj dhe që në vazhdim do të tregojë të tjera detaje rreth kësaj sëmundjeje.

    “Marsi është muaji i ndërgjegjësimit për endometriozën. Endometrioza ishte përvoja më e dhimbshme e jetës time dhe nuk jam e vetme pasi 1 në 10 gra vuajnë nga kjo sëmundje edhe pse në shkallë të ndryshme. Ndihem kaq e nderuar që kam qenë në gjendje të ndaj rrugëtimin tim me të gjithë ju, jo vetëm për të ndërgjegjësuar, por edhe për t’u lidhur me shumë gra që vuajnë gjithashtu nga kjo sëmundje. Këto foto sjellin kaq shumë emocione, por kryesisht mirënjohje për kujdesin dhe vlerësimin e duhur të mjekëve, pas shumë vitesh të dhimbjeve të forta dhe orvatjes nga një diagnozë në tjetrën, nga një mjek në tjetrin, duke më thënë: “Do të jesh mirë, dhimbja e ciklit menstrual është normale”. Jam e përkushtuar për të vazhduar me rritjen e ndërgjegjësimit, në mënyrë që gratë të dinë se çfarë të kërkojnë dhe të luftojnë për të marrë kujdesin e duhur para se të jetë tepër vonë. Shpeshherë, gratë nuk diagnostikohen nga endometrioza dhe e kuptojnë shumë vonë çfarë kanë, atëherë kur pjelloria dhe shëndeti i tyre i përgjithshëm riprodhues ndikohet në mënyrë të pakthyeshme. Për fat të keq kjo është një histori që është shumë e zakonshme! Unë nuk dua që kjo të ndodhë me askënd nga ju kështu ndaj dua të ndaj këtë fakt: dhimbjet menstruale nuk janë normale. Gjatë gjithë muajit do të postoj fakte të Endometriozës dhe keqkuptime të zakonshme në mënyrë që të mund të mësoni më shumë dhe t`i ndani me të tjerët. Për të gjithë shoqet e mia luftarake, jeni shumë të fortë dhe ju dua!”, shkruan Olivia Culpo.

    Dy fjalë nga mjeku Andreas Bazeos, obstetër gjinekolog

    Endometrioza është një patologji gjinekologjike, ku endometriumi (shtresa e brendshme e mitrës, e cila zëvëndësohet çdo muaj me ciklin menstrual) fillon të rritet jashtë mitrës. Shkaku i këtij çrregullimi ende nuk është i qartë, ndonëse janë zhvilluar shumë teori të ndryshme rreth tij, e lidhur kjo edhe me faktin se janë shumë mekanizma të përfshira në këtë patologji.

    Më së shpeshti, endometrioza rritet zakonisht në vezore, por mund të prekë edhe zona të tjera siç është zorra apo indet pelvike (pjesa e poshtme e barkut). Këto lezione endometriale shoqërohen me gjakëderdhje kur vjen cikli, njëlloj si endometriumi normal, megjithatë, gjaku bllokohet brenda barkut të femrës, duke shkaktuar dhimbje dhe në disa raste duke formuar kiste të cilat janë të mbushur me gjak në ngjyrë të errët. Kjo është edhe arsyeja pse kistet endometriotik quhen “kiste çokollatë”.

    Edhe pse prevalenca e endometriozës mund të ndryshojë nga një vend në tjetrin, është përllogaritur se 1 në 10 gra në mbarë botën vuajnë nga endometrioza.

    Te femrat që kanë probleme me fertilitetin, incidenca mund të jetë më e madhe, shkon deri në 30-50% të rasteve!

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!