Të braktisura edhe nga familja – Rrëfimet prekëse të grave të divorcuara afgane dhe frika nga më e keqja që mund të vijë

Në një shoqëri konservatore dhe patriarkale si e Afganistanit, termi grua e divorcuar është tabu.


Madje ekziston një shprehje e vjetër ne këtë vend “Një grua largohet nga shtëpia e babait të saj me rrobat e nusërisë dhe ajo mund të kthehet aty vetëm me qefinin e bardhë”

Pra, në këtë shoqëri me mentalitet të prapambetur, gratë që kërkojnë divorc shpesh mohohen nga familjet e tyre madje shmangen edhe nga shoqëria afgane.

Të mbetura vetëm, ato duhet të luftojnë vetë për të drejtat themelore, duke filluar nga marrja me qira e një apartamenti, që duhet të jetë me garanci nga një i afërm, domosdoshmërisht mashkull.

Gratë si Roqia dhe Tahira, u divorcuan rreth tetë vjet më parë, dhe tani ndajnë bashkë një apartament. Ato janë përballuar me shumë pengesa duke mbështetur njëra -tjetrën.

Të dyja gratë kanë lindur si refugjate në Iran. Roqia, 30 vjeç, erdhi në Afganistan në vitin 2009 kur e ardhmja e vendit dukej më e ndritshme dhe plot shpresë. “Kur mbusha 20 vjeç, familja ime më martoi me një burrë që nuk e njihnim mirë. Ne u divorcuam disa vjet më vonë”, thotë ajo.

Menjëherë pas ndarjes, Roqia kuptoi se ajo nuk po divorcohej vetëm nga burri i saj, por edhe familja dhe komuniteti që e rrethonte, shkruan The Guardian.

“Unë u refuzova. Nuk kisha asgjë dhe ku të shkoja. Me djalin tim pesëvjeçar, shkova te babai, por ai ishte në shtratin e vdekjes. Unë nuk kisha burra të tjerë në jetën time që të më ndihmonin. Vëllai im vdiq disa vjet më vonë,”, thotë ajo.

Burra dhe gra më pas u distancuan nga jeta e saj.

Në shumicën e divorceve në Afganistan, kujdestaria e fëmijëve mbi pesë vjeç i jepet babait.

Tahira, e cila vjen nga qyteti perëndimor i Heratit, ndan një histori të ngjashme.

“Unë u martova nga familja ime kur isha 19 vjeç. Por nuk munda të jetoja me burrin që më dhanë, as dy vjet, ndaj vendosa të divorcohem,” shprehet ajo.

Edhe ajo u shmang nga familja e saj.

“Ata nuk hanin në të njëjtën tryezë me mua, ose nuk preknin ushqimin që u bëja. Ata më thoshin, ‘ti je një grua e divorcuar dhe ajo që gatuan është e papastër’,” rrëfen Tahira.

Tani, pas krijimit të një jete të re, të pavarura në Kabul, Roqia dhe Tahira, dhe mijëra të tjerë në situata të ngjashme, përballen me një sprovë tjetër. Ndërsa talebanët po rrisnin kontrollin e tyre drejt Kabulit, ato kanë frikë për të ardhmen e tyre.

“Nëse talebanët marrin Kabulin, ata nuk do të na lejojnë të jetojmë jetën e pavarur që bëjmë sot. Ne as nuk do të jemi në gjendje të largohemi nga shtëpitë tona, sepse nuk kemi kujdestarë meshkuj, ” thotë Roqia.

Frika e tyre është e bazuar në tmerret që po tregohen në të gjithë vendin. Në shumë qytete të pushtuara nga talebanët, janë vendosur rregulla të reja, përfshirë kufizimet në lëvizjen e grave. Gratë nuk lejohen të dalin nga shtëpia nëse nuk janë në shoqërinë e një kujdestari mashkull dhe duhet te jenë të mbuluara plotësisht me burkën tradicionale.

Dhuna e përshkallëzuar ka detyruar shumë afganë të largohen nga shtëpitë e tyre, por gratë e divorcuara që jetojnë vetëm e gjejnë veten të izoluar, pa vend ku të ikin. Megjithatë, më tmerruese është praktika e martesave të detyruara të vajzave të reja dhe vejushave me luftëtarët talebanë.

“Ne jemi shumë të shqetësuara për martesat e detyruara nga talebanët. Nëse ata vijnë, ne do t’i japim fund jetës sonë. Sepse ky është opsioni i vetëm për ne, ” thotë Tahira.

Puna e tyre i ndihmoi ato të siguronin një kontratë, duke qepur uniforma për të burgosurit. Duke fituar 6,000 afganë në muaj (55 £), ato mundën të mbijetonin në një shtëpi të vogël, thuajse e shkatërruar. Por me talebanët që afrohen çdo ditë ne krahinën ku ato jetojnë, Sanobar dhe motra e saj janë jashtëzakonisht të shqetësuara.

Së fundmi, ato kanë humbur edhe punën si rezultat i sulmeve të talebanëve. Ndërsa situata përkeqësohet, një ndjenjë e thellë pasigurie qëndron mbi to.

“Ne nuk kemi ku të shkojmë. Nuk kemi as para për të shpenzuar, madje as mundësi të paguajmë qiranë e muajit tjetër. Çdo natë, frika se talebanët do të hyjnë në shtëpinë tonë na mban zgjuar” rrëfen Sanobar.

*Emrat janë ndryshuar për të mbrojtur identitetin