Samsung ka njoftuar se ka nisur shpërndarjen e përditësimit One UI 9 Watch për serinë Galaxy Watch8. Përditësimi i ri sjell funksione të avancuara për monitorimin e shëndetit, veçori të tjera praktike dhe mundësi të reja personalizimi.

Sistemi operativ One UI 9 Watch debutoi fillimisht në serinë e këtij viti Galaxy Watch9 dhe në modelin Galaxy Watch Ultra2, duke prezantuar disa risi në monitorimin e shëndetit. Tashmë, këto veçori janë të disponueshme edhe për përdoruesit e Galaxy Watch8.

Ndër risitë kryesore janë Vitals, Heart Health, Daily Cardio Load, Fitness Index dhe monitorimi më i avancuar i apnesë së gjumit. Gjithashtu, aplikacioni Samsung Health ofron tashmë funksionin Sleep Coaching, i cili ndihmon përdoruesit të përmirësojnë cilësinë e gjumit, bazuar në të dhënat e mbledhura nga ora inteligjente.

Reklamë

Monitorimi i apnesë së gjumit kryhet përmes aplikacionit Samsung Health Monitor dhe funksionon vetëm kur ora është e lidhur me një pajisje Samsung.

Funksioni Vitals analizon disa tregues shëndetësorë, përfshirë rrahjet e zemrës, ndryshueshmërinë e ritmit të saj (HRV), frekuencën e frymëmarrjes, temperaturën e lëkurës dhe nivelin e oksigjenit në gjak. Ora i mat këta tregues gjatë gjumit, përcakton vlerat bazë dhe më pas sinjalizon përdoruesin kur vëren devijime të rëndësishme nga to.

Ndërkaq, Heart Health analizon të dhënat e gjumit dhe aktivitetit fizik, duke krijuar një vlerësim të përgjithshëm se si rutina e përditshme ndikon në shëndetin e zemrës.

Funksioni Daily Cardio Load ofron të dhëna për rikuperimin pas ushtrimeve fizike. Ai sugjeron një nivel të përshtatshëm të ngarkesës fizike, si dhe këshilla për përmirësimin e procesit të rikuperimit.

Reklamë

Në anën tjetër, Fitness Index përmbledh të dhënat nga aktivitetet fizike të përdoruesit dhe krijon një vlerësim të përgjithshëm të gjendjes së tij fizike.

Përditësimi One UI 9 Watch sjell edhe disa veçori të tjera. Njëra prej tyre është Portrait Watch Face, e cila identifikon personat në fotografi dhe përshtat pozicionin e orës dhe sfondin rreth tyre.

Edhe aplikacioni Compass është përmirësuar, duke u mundësuar përdoruesve të orientohen drejt lokacioneve të ruajtura paraprakisht. Ndërsa funksioni Track Back ndihmon në ndjekjen e së njëjtës rrugë për t’u kthyer në pikën e nisjes.

Reklamë

Samsung ka nisur tashmë shpërndarjen e përditësimit, por ai mund të mos jetë menjëherë i disponueshëm për të gjithë përdoruesit e serisë Galaxy Watch8.