×
  • Extra
  • Extra

    U vështirësohet puna hajnave, policët bëhen me rollera

    Reporteri
    23 Shkurt 2021 | 9:36

    Policia në qytetin më të madh të Pakistanit, Karaçi, e ka themeluar njësinë e policëve të pajisur me këpucë me rrota në përpjekje për t’i luftuar vjedhjet dhe krimet tjera në rrugë.


    Njësia do të përbëhet nga 20 pjesëtarë, të cilët do t’u nënshtrohen trajnimeve të rrepta. Ata do të kenë uniforma tërësisht të zeza dhe do të jenë të pajisur me mbrojtëse të gjunjëve dhe bërrylave dhe të armatosur me pistoleta.

    “Na u duk se kemi nevojë që të sjellim një qasje inovative për ta kontrolluar krimin në rrugë”, tha Farrukh Ali, udhëheqës i kësaj njësie policore, duke sqaruar se policët me këpucë me rrota do të mund t’i ndjekin më lehtë hajnat me motoçikleta në qytetin me 20 milionë banorë.

    Megjithatë, ai pranoi se këta policë nuk do të mund të angazhohen në shumë pjesë të qytetit për shkak të gjendjes së dobët të rrugëve, por tha se ata do të dërgohen në vendet publike me më shumë raste të vjedhjeve dhe ngacmimeve, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

    “Ky është vetëm fillimi. Këto këpucë me rrota vërtet do të na sjellin përfitime. Me këtë trajnim, mund të arrijmë në rrugica të ngushta shumë shpejt, ku zakonisht është vështirë të shkohet”, tha Aneela Aslam, police e njësisë së re policore.

    Kjo njësi është shembull i njësive të ngjashme policore në disa vende të Evropës dhe pritet ta fillojë punën zyrtarisht muajin e ardhshëm. Megjithatë, pjesëtarët e kësaj njësie tashmë janë angazhuar në disa vende.

    “T’i shohësh ata këtu në uniforma të pastra që nga mëngjesi na jep një ndjenjë sigurie, sepse vjedhjet ndodhin edhe gjatë ditës këtu”, tha një kalimtar i quajtur Muhammad Azeem.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!