Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se janë përmbyllur diskutimet me Lëvizjen Vetëvendosje për çështjen e Presidentit, pas 53 ditësh përpjekjesh për arritjen e një zgjidhjeje kushtetuese.

Ai ka thënë se, pavarësisht përpjekjeve për konsensus, nuk është arritur marrëveshje, shkruan Gazeta Online Reporteri.net. .

“Përkundër përpjekjeve për 53 ditë kushtetuese për të gjetur zgjidhje rreth çështjes së Presidentit, dhe vetëm Presidentit, sot, me keqardhje them se nuk kemi arritur të gjejmë një zgjidhje”, ka shkruar Abdixhiku.

Reklamë

Sipas tij, qëndrimi i Vetëvendosjes për një kandidat nga radhët e saj ka pamundësuar arritjen e një marrëveshjeje.

“Siç kemi thënë nga fillimi, Presidenti nuk mund të jetë zgjatim i Qeverisë. Insistimi për një President të VV-së na dërgoi në krizë para aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Insistimi i sërishëm për President të VV-së nuk e ndërpreu krizën që na dërgoi në Gjykatën Kushtetuese. Asgjë nuk ka ndryshuar”, ka theksuar ai.

Abdixhiku ka shtuar se LDK ka qenë e gatshme për një kandidat konsensual, por se kjo nuk është pranuar nga pala tjetër.

“Përkundër përpjekjes sonë për konsensus dhe gatishmërisë për një kandidat konsensual, insistimi për një President nga radhët e VV-së e pamundëson mbështetjen tonë për çështje parimore dhe në interes të Republikës”, ka deklaruar ai.

Ai ka bërë të ditur se LDK i konsideron të përmbyllura diskutimet për këtë çështje.

Reklamë

“Prandaj, nga sot, LDK i konsideron të përmbyllura diskutimet mbi çështjen e Presidentit. Provuam për 53 nga 60 ditët kushtetuese. E drejtë është të mos shpenzojmë gjithë kohën e mbetur”, ka shkruar Abdixhiku.

Në fund, ai ka theksuar se LDK do të vazhdojë me konsolidimin e saj politik.

“Nga tash e tutje, do të vazhdojmë angazhimin për përbashkimin e madh të së djathtës brenda LDK-së, si domosdoshmëri politike dhe si përgjigje ndaj nevojës së qytetarëve për një alternativë serioze, të qëndrueshme dhe shtetformuese”, ka përfunduar ai.

Reklamë