Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se vendimi i gjashtë deputetëve të partisë për të mos e votuar Bekim Sejdiun mund ta çojë Kosovën në zgjedhje të jashtëzakonshme.
“E dërgojnë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme”, tha Abdixhiku pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të LDK-së, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Ai tha se kjo po ndodh pavarësisht se Kryesia e LDK-së e ka mbështetur unanimisht kandidaturën e Sejdiut.
Abdixhiku ka hedhur dyshime se kundërshtimi i gjashtë deputetëve ndaj kandidaturës së Bekim Sejdiut mund të lidhet me agjenda që, sipas tij, nuk përkojnë me qëndrimet e LDK-së.
I pyetur nëse kundërshtimi lidhet me figurën e Sejdiut apo me bashkëpunimin me Vetëvendosjen, Abdixhiku tha:
“Deklarimi është për figurën, por në thelb kam përshtypjen që është diçka tjetër. Duket se ka pretendime të jashtëzakonshme për të shtyrë agjenda që s’janë të LDK-së”./Reporteri.net/