Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se nuk do të ketë një kandidat tjetër për President të Kosovës dhe se ai do të vazhdojë të mbështesë kandidaturën e Bekim Sejdiut deri në fund të procesit.
Pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të LDK-së, Abdixhiku tha se nuk duhet të ketë më diskutime për një emër tjetër, pavarësisht se gjashtë deputetë të kësaj partie kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Sejdiun.
“Nuk ka më diskutime të tjera, nuk duhet të ketë diskutime të tjera. Nuk duhet Kosova të jetë pre e tekeve”, tha Abdixhiku.
Ai bëri të ditur se, nga 18 deputetë të LDK-së, aktualisht 12 prej tyre janë të gatshëm ta mbështesin kandidaturën e Sejdiut, ndërsa gjashtë kanë deklaruar se do të veprojnë ndryshe nga vendimi i Kryesisë së partisë.
“Unë me 12 deputetë, nga këto 12, do të jem në sallë ditën kur votohet. Kaq është forca që mund ta kemi. Deri në momentin e fundit do të bëj përpjekje për votë”, deklaroi ai.
Abdixhiku tha se beson në marrëveshjen politike të arritur dhe në kandidaturën e Sejdiut, duke theksuar se ajo, sipas tij, është në interes të stabilitetit institucional.
Ai hodhi poshtë mundësinë e ndryshimit të kandidatit dhe tha se LDK-ja nuk duhet të dorëzohet për shkak të kundërshtimeve të brendshme.
“Fatkeqësisht po e humbim një mundësi të tillë për teket krejtësisht individuale”, tha Abdixhiku.
Kryetari i LDK-së kritikoi edhe mënyrën se si po zhvillohet procesi politik, duke e cilësuar situatën si “politikë të përçudmuar” dhe “dëshpëruese”.
“Është politikë e përçudmuar, është dëshpëruese, por kaq është. Të Kosovës në këtë politikë s’mund as me përfaqësu, me ju thënë të drejtën. As s’e besoj, as s’e përfaqësoj, e duket se s’po mund as me rregullu”, tha ai.
Abdixhiku u bëri thirrje partive që, nëse kanë kundërshtime ndaj Qeverisë së udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, betejën politike ta zhvillojnë në Kuvend dhe jo përmes bllokimit të zgjedhjes së Presidentit.
“Bëjeni betejën e qeverisë në Kuvend. Mendoni që duhet ta rrëzojmë? Rrëzojeni në Kuvend”, tha ai.
Sipas Abdixhikut, nëse procesi dështon dhe vendi shkon në zgjedhje, përgjegjësia do të jetë e atyre që, sipas tij, kanë zgjedhur të mos e mbështesin marrëveshjen dhe kandidaturën e Sejdiut.
Në fund, Abdixhiku shprehu keqardhje për situatën dhe u kërkoi falje qytetarëve të Kosovës.
“Edhe njëherë i kërkoj falje dhe ndjej shumë, shumë, shumë keqardhje që nuk arrita t’ju jap stabilitet, përkundër përpjekjes së madhe që kam bërë”, deklaroi ai.
Abdixhiku tha se do të jetë në sallën e Kuvendit ditën e votimit dhe se deri në momentin e fundit do të përpiqet të sigurojë votat e nevojshme për zgjedhjen e Presidentit./ Reporteri.net/