Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Pejë ka shprehur mbështetje për gjashtë deputetët e LDK-së që kanë kundërshtuar marrëveshjen me Lëvizjen Vetëvendosje dhe kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Bekim Sejdiun për President.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se e mbështet fuqishëm qëndrimin e deputetëve nga dega e Pejës, duke e cilësuar vendimin e tyre si të drejtë për Kosovën dhe LDK-në.
“Mbështes fuqishëm qëndrimin e deputetëve të LDK-së nga dega e Pejës. Sot morën vendimin e duhur për Kosovën dhe për LDK-në”, ka shkruar ai.
Ai ka theksuar se, sipas tij, bindja, besimi dhe vlerat e LDK-së duhet të jenë mbi çdo konsideratë tjetër.
“Bindja, besimi dhe vlerat e LDK-së janë ato që duhet të mbizotërojnë gjithmonë”, ka deklaruar ai.
Gjashtë deputetët e LDK-së – Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Armend Zemaj, Kujtim Shala dhe Janina Ymeri – kanë bërë të ditur se nuk do ta votojnë Bekim Sejdiun për President, pavarësisht vendimit të Kryesisë së LDK-së për ta mbështetur kandidaturën e tij.