Argjentina ka rritur ndjeshëm presionin në kërkim të golit të barazimit ndaj Anglisë në gjysmëfinalen e Kupës së Botës, por portieri Jordan Pickford po rezulton vendimtar për skuadrën angleze.
Në minutën e 57-të, Spence shmangu një gol të sigurt, duke ndërhyrë në momentin e fundit ndaj Giovanni Simeones, i cili po dilte i vetëm përballë Pickfordit.
Rasti më i mirë për argjentinasit erdhi në minutën e 68-të. Nico Gonzalez provoi me kokë nga afërsia, por Pickford realizoi një pritje spektakolare, duke i mohuar golin e barazimit kampionëve në fuqi.
Katër minuta më vonë, të dy trajnerët ndërhynë me zëvendësime. Te Anglia, Ezri Konsa zuri vendin e Anthony Gordonit, autorit të golit të vetëm të takimit. Ndërkohë, Argjentina freskoi skuadrën me aktivizimin e Rodrigo De Paul, Gonzalo Montiel dhe Nicolas Otamendi, të cilët zëvendësuan Giuliano Simeone, Nahuel Molina dhe Lautaro Martinez.
Anglia vazhdon të udhëheqë 1:0, ndërsa Argjentina po kërkon me ngulm golin që do ta rikthente në lojë për një vend në finalen e Botërorit.