Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka nisur shpalosja e deklaratave përmbyllëse në gjyqin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit – të cilët akuzohen për pengim të drejtësisë.
Vetëm Thaçi është i pranishëm në gjykatore, ndërkaq të akuzuarit e tjerë janë duke e ndjekur seancën përmes video-lidhjes.
Prokurorja e specializuar, Kimberly West, në fjalën përmbyllëse tha se Thaçi dhe të bashkëakuzuarit e tjerë për muaj të tërë tentuan të ndikonin në dëshmitë e dëshmitarëve për rastin gjyqësor për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
“Bashkë me bashkëpunëtorët e tij në këtë proces ai tentoi ta pengonte këtë proces duke ndërhyrë në dëshmitë e këtyre dëshmitarëve dhe u kap. U kap me shumë orë incizime dhe dokumente që konfirmojnë incizimet në fjalë”, tha ajo.
West i cilësoi të bashkakuzuarit e tjerë të Thaçit, si bashkëpunëtorë të tij, shokë të devotshëm, lojaistë, dhe ish-vartës, të cilët, sipas saj, Thaçi i udhëzoi “që të shënjestronin dëshmitarët, dëshmia e të cilët, sipas tij, ishin vendimtare për procesin për krime lufte”.
West pretendoi se udhëzimet ishin të ndryshme, nga kërkesa për ndryshimin e dëshmive, apo që Thaçi të vihej apo të mos vihej në ndonjë vend ku pretendohet se janë kryer krime.
Sipas saj, duke krijuar grupe të vogla, Thaçi udhëzoi të bashkëakuzuarit se si dëshmitë e dëshmitarëve t’i përshtateshin “narrativit të tij”.
Prokurorja tha se dëshmitë u printuan në qendrën e paraburgimit dhe u diskutuan gjatë vizitave po në këtë qendër.
Ajo po ashtu pretendoi se Thaçi kishte biseduar me të akuzuarit e tjerë edhe për hierarkinë e UÇK-së dhe si dëshmitarët, me dëshminë e tyre, siç tha ajo, të zbehnin rolin komandues të tij.
Prokurori i specializuar, Joshua Hafetz, më pas paraqiti edhe pjesë të incizimeve mes Thaçit dhe të bashkakuzuarve të tjerë, duke e akuzuar mbrojtjen se po tenton “t’i bishtnojë” provat, që sipas tij, kanë peshë të madhe.
Hafetz tha se pjesët që nuk janë dëgjuar mirë, Prokuroria nuk i ka përdorur, teksa shtoi se Thaçi gjatë udhëzimeve ka pëshpëritur.
Në gjykatore u shfaqën pjesë të bisedave të Thaçit me Fazliut lidhur me dëshminë e Rrustem Mustafës – Remit. Prokuroria pretendon se Thaçi, përmes Faziut dhe të birit të tij, e udhëzoi Mustafën se si të dëshmonte disa ditë më vonë në Hagë për rastin numër 6 – për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Prokuroria po ashtu tha se vetëm një ditë pas udhëzimit të Thaçit, Fazliu u kthye në Kosovë dhe kontaktoi Mustafën, përmes të birit të tij Fahri Fazliut, dhe disa ditë më vonë e njoftoi Thaçin për bisedën dhe Thaçi e udhëzoi sërish rreth dëshmisë së Mustafës.
“Dymdhëdhjetë orë pa rrëshqitur diku, s’mundet. Thuaj shkurt, ‘po’, ‘jo’. Ai i ka mirë deklaratat, por mund të rrëshqasë, se gjatë. Thuaji t’i shkurtoj”, dëgjohet Thaçi duke i thënë Fazliut në incizimin e lëshuar në gjykatë.
Mbrojtja dhe prokurorët do t’i kenë tri ditë kohë për t’i dhënë argumentet e tyre përmbyllëse në këtë rast që ndërlidhet me çështjen gjyqësore kundër Thaçit dhe tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.
Prokurori Hafetz pretendoi se gjatë vizitave të Fazliut në qendrën e paraburgimit në Hagë, Thaçi zbuloi edhe informacione konfidenciale, përkatësisht identifikoi një provë për të cilën Mustafa do të pyetej gjatë dëshmisë dhe një libër për të cilën prokurorët do ta pyesnin. Sipas prokurorit, Thaçi dha udhëzime se si Mustafa do të duhej të dëshmonte.
Prokurori po ashtu përmendi një vizitë të Hajredin Kuçit me Thaçin në Hagë, në kohën kur Kuçi ishte pjesë e mbrojtjes së Veselit. Ai tha se Kuçi e kontaktoi Mustafën përmes mesazhit, duke e ditur se është e ndaluar që të kontaktohen dëshmitarë pa një autorizim paraprak të gjykatës.
Prokuroria, tha se me këtë, Kuçi nuk iu bind gjykatës.
Madje, për të përshkruar raportin e ngushtë, që sipas Prokurorisë ekziston mes Thaçit dhe Kuçit, gjatë vizitës në Hagë, Prokuroria tha se Kuçi iu referua 90 Thaçit me fjalën “boss [shef]”, ndërkaq Thaçi e quajti mbi 50 herë atë “Hajro”.
Prokuroria pretendon se Thaçi shënjestroi tre dëshmitarë përmes Kuçit, dy ish-pjesëtarë të UÇK-së dhe një viktimë e pretenduar e pjesëtarëve të UÇK-së.
“Shënjestrimi i dëshmitarëve ishte që ai [Thaçi] të përgatiste narrativin e tij të preferuar se ai nuk kishte përgjegjësi penale për veprat e paraqitura në çështjen 6”, tha prokurori Hafetz.
Hafetz tha se njëri nga dëshmitarët e shënjestruar ishte Sulejman Selimi, apo i njohur si dëshmitari numër 5.
Sipas prokurorit, gjatë takimit të 3 shtatorit 2023, Thaçi e udhëzoi Kuçin që Selimi të thoshte se komandantët e zonave të UÇK-së kishin fuqinë e vetme.
“Thuaj që telefonin satelitor ja ka sjellë diaspora… Demaçi ka bërë disa rregullore”, dëgjohet duke përshpëritur Thaçi në incizimin e lëshuar në gjykatore.
Me Kuçin u diskutua edhe libri për të cilin do të pyetej Mustafa dhe, sipas Prokurorisë, përmes Kuçit, Thaçi dërgoi udhëzime se si Selimi të dëshmonte.
Dëshmitari tjetër, që sipas Prokurorisë, Thaçi e udhëzoi Kuçin se si të dëshmonte ishte Bislim Zyrapi, i njohur si dëshmitari numër 2.
Sipas organit ndjekës, në incizime, Thaçi kërkonte që Zyrapi të ndryshonte dëshminë e tij – pasi paraprakisht e kishte paraqitur atë si autoritet mbi Shtabin e Përgjithshëm – dhe të thoshte se ai, Thaçi dhe persona të tjerë, përfshirë Veselin u bënë anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në nëntor të vitit 1998.
“Thaçit i nevojitet të japë përgjigje të sakta për strukturën e shtabit të përgjithshëm, që të minimizonin përgjegjësinë penale të tij para nëntorit ’98”, tha prokurori.
Sa i përket dëshmitarit të tretë, ai u identifikua vetëm si dëshmitari 6, pasi është dëshmitar i mbrojtur. Prokurori tha nuk mund të japë publikisht detaje për të, por udhëzimet e Thaçit, sipas tij, ishin që ai të mos implikohej drejtpërdrejt nga ky dëshmitar në ndonjë krim.
Prokuroria më pas vazhdoi me përfshirjen e Kilajt në këtë rast. Prokurori tha se Kilaj e vizitoi fillimisht Thaçin në shkurt të vitit 2023 – disa ditë pasi Thaçi kishte pranuar identitetet e dëshmitarëve të mbrojtur.
Në vizitë ishin të pranishëm edhe persona të tjerë. Prokuroria pretendon se në atë takim Thaçi udhëzoi Kilajn se si dëshmitarët të dëshmonin. Përkatësisht, bëhet fjalë për dëshmitarin e mbrojtur me numër 4.
Më pas Kilaj e vizitoi Thaçin sërish në tetor, kur sipas Prokurorisë, Thaçi i dha dëshminë e dëshmitarit dhe i kërkoi saktësisht se çfarë të ndryshonte.
Në incizime, sipas Prokurorisë, Thaçi kërkon që duhet korrigjuar pjesa gjashtë, faqja shtatë dhe rreshti 9.
Dëshmitari, sipas Prokurorisë, e kishte implikuar Thaçin në keqtrajtim të pretenduar.
Materiale të dëshmisë së dëshmitarit dhe materiale konfidenciale, Prokuroria tha se iu gjetën në zotërim Kilajt si dhe udhëzime se si duhej të dëshmonte.
Prokuroria ka kërkuar tri orë për fjalën e saj përmbyllëse.
Dy ditë pas përfundimit të deklaratave përmbyllëse, Thaçi së bashku me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin do të dalin para trupit gjykues për t’u përballur me aktgjykimin për krime lufte gjatë luftës së viteve 1998-‘99 në Kosovë. Për secilin nga ta, Prokuroria ka kërkuar 45 vjet burgim. Të katërtit i kanë mohuar të gjitha akuzat./REL