Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se takimi me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ishte takimi i parë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Abdixhiku ka bërë të ditur se diskutimet janë fokusuar në stabilitetin institucional të vendit dhe në përpjekjet për shmangien e zgjedhjeve të reja, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Ishte takimi i parë menjëherë pas certifikimit të rezultatit zgjedhor nga KQZ. Folëm për stabilitetin e domosdoshëm institucional në Republikën e Kosovës dhe shmangien e domosdoshme të zgjedhjeve të ardhshme”, tha Abdixhiku.
Ai ka deklaruar se palët janë dakorduar që të vazhdojnë komunikimin, me fokus në parimet mbi të cilat do të zhvillohen diskutimet e ardhshme.
“Në këtë frymë u angazhuam për diskutime rreth parimeve thelbësore, vlerave dhe ideve programore për të cilat dy palët kanë interes. Në këtë fazë u dakorduam të vazhdojmë tutje me komunikim si formë e vetme e mundësisë së shmangies së zgjedhjeve të jashtëzakonshme”, u shpreh kreu i LDK-së.
Abdixhiku tha se për LDK-në janë të rëndësishme jo vetëm stabiliteti institucional, por edhe ruajtja e balancës demokratike.
“Ne diskutuam për parimet rreth të cilave duhet të dakordohemi. Këto parime për LDK-në janë të qarta. Kërkojmë jo vetëm stabilitet institucional nga tash, por edhe balancën e domosdoshme demokratike, me të cilën të gjitha palët kontribuojnë për t’i ofruar vendit institucione të qëndrueshme”, tha ai.
Sipas tij, në këtë fazë nuk është diskutuar për emra konkretë apo pozita institucionale.
“Nuk kemi arritur të diskutojmë për emra të përveçëm, por u dakorduam të përpiqemi që të gjejmë marrëveshje”, deklaroi Abdixhiku.
Ai shtoi se marrëveshja e mundshme duhet të ndërtohet mbi parime dhe jo mbi ndarje postesh.
“Nuk është diskutuar për poste, por po diskutohet për çështjen e parimeve. Për një marrëveshje të mirë jemi të unifikuar”, ka thënë Abdixhiku.