Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, ka deklaruar se nuk do ta votojë kandidaturën e Bekim Sejdiut për President të Kosovës, pasi, sipas saj, kjo do t’ia zgjaste pushtetin kryeministrit Albin Kurti.

Ymeri e ka akuzuar Kurtin se është “argat i mafisë energjetike”, ndërsa ka thënë se vendimin për të mos e votuar Sejdiun e ka marrë pavarësisht pasojave që mund të ketë për pozitën e saj brenda LDK-së.

“Një kryeministër si Albin Kurti është argat i mafisë energjetike. Edhe sot, me gjithë pasojat për pozitën time brenda partisë, vendos të mos e votoj zgjatjen e pushtetit të tij. Pushtet i komprometuar dhe antikombëtar”, ka shkruar Ymeri në Facebook.

Reklamë

Ajo ka kritikuar edhe kandidaturën e Sejdiut, duke thënë se ai nuk ka, sipas saj, profilin dhe pavarësinë e nevojshme për të garantuar balancën institucionale.

“Kandidati për President, në anën tjetër, nuk kishte as profil e as pavarësi që të sillte balancë pushteti dhe forcë ndaj kapjes nga Vetëvendosja”, ka deklaruar Ymeri.

Ymeri ka thënë se shpreson në një të ardhme më të mirë dhe ka theksuar se do të vazhdojë të qëndrojë për LDK-në dhe Republikën e Kosovës.

“Shpresë ka kur njerëzit vendosin për një të ardhme më të mirë, dhe kjo ditë duhet të jetë e tillë. Do të qëndrojmë për Lidhjen Demokratike të Kosovës. Për Republikën tonë”, ka shkruar ajo.

Reklamë