Filmi më i ri i “Superman: Legacy” ka ndezur një debat të zjarrtë në mbarë botën pasi shumë shikues e kanë interpretuar si një qëndrim të qartë kundër luftës në Gaza. Në film, Superman ndërhyn për të mbrojtur një popullatë civile nga një fuqi ushtarake shumë më e madhe, skenar që për shumëkënd është një alegori e drejtpërdrejtë për situatën mes Izraelit dhe Palestinës.
Në qendër të ngjarjes janë dy shtete fiktive: Boravia, një superfuqi ushtarake e përkrahur nga SHBA, dhe Jarhanpur, një vend më i vogël, i bllokuar dhe i bombarduar. Superman vendos të mbrojë civilët e Jarhanpurit, duke sfiduar presionin diplomatik dhe duke refuzuar të mbajë anë politike, por duke dalë qartazi kundër masakrës së të pafajshmëve.
Për shumë spektatorë, kjo është një metaforë e qartë për konfliktin aktual në Gaza. Pamjet e kamp-eve të refugjatëve, dialogu mbi “eliminimin e kërcënimeve nga brenda”, dhe skenat ku populli i Jarhanpurit ngrit flamurin e Supermanit në fund të filmit kanë sjellë menjëherë ndër mend protestat palestineze dhe simbolikën e tyre.
Aktivistë dhe figura publike pro-palestineze, si Mia Khalifa dhe Krystal Ball, e kanë quajtur filmin një deklaratë të guximshme kundër padrejtësive globale. Nga ana tjetër, disa komentues pro-izraelitë e kanë kritikuar ashpër, duke e parë si një sulm të fshehur ndaj Izraelit.
Regjisori James Gunn i është shmangur deklarimeve politike, duke thënë se filmi është një histori universale mbi drejtësinë dhe mbrojtjen e të pafajshmëve, por audienca duket se e ka lexuar ndryshe.
Debati vazhdon: A është ky një Superman më politik se kurrë më parë? Dhe a është ky filmi i parë i madh hollivudian që hapur sfidon narrativën perëndimore për Lindjen e Mesme?/tvklan/