×
Art/Kulturë / Mural Fest

Ferizaj me mural për integrimin e personave me aftësi të kufizuara

Autor:Gent Mehmeti
09 Maj 2024 | 22:21

Muri i pjesës së majtë të objektit të Komunës së Ferizajt ka marrë ngjyrë nga një artiste e re ferizajase.

Murali i realizuar nga Antika Veseli shpërfaq mesazhin e fuqishëm për bashkëpunim dhe ndërgjegjësim për çështjet e personave me aftësi të veçanta.

Mural Festi ka shpërndarë fotografitë e këtij murali me mesazh të fuqishëm.

Antika Veseli duke realizuar muralin

“Antika Veseli është përzgjedhur si artistja për këtë mural të sapo përfunduar në qendër të qytetit nga Handikos Ferizaj nën udhëheqjen e Mural Fest. Koncepti i muralit përshkruan një vajzë në një karrocë, që me guximin e saj udhëheq botën në njërën dorë. Rrotat e karrocës simbolizojnë aventurat e jetës dhe rrugët që ajo kalon, ndërsa vajza paraqet forcën dhe përkushtimin e personave me aftësi të kufizuara për të përballuar me sfidat dhe për të ndjekur ëndrrat e tyre”, thuhet në postimin e Mural Festit.

Ndërkaq, drejtoresha e Mural Festiti, Lebibe Topalli ka thënë se “këtë vit keni me pa shumë murale nga artistat tanë lokal”.

“Filluam me Antika Veseli për të vazhduar edhe me super vepra të tjera pastaj, me qëllim për të promovuar artin tonë”, ka thënë Topalli.

Projekti është implementuar nga Handikos Ferizaj në bashkëpunim me Mural Festin. Projekti është mbështetur edhe nga Ministria e Kulturës dhe Sportit.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!