×
Art/Kulturë

Filmi “ZGJOI”, me regji të Blerta Bashollit, në kërkim të Oscarit

Reporteri
09 Shtator 2021 | 14:59

Autor: Linda Krasniqi 


Pas tre çmimeve të fituara në Sundance Film Festival, filmi “ZGJOI” është bërë kandidat për festivalin më të madh botëror “OSCAR”.


Filmi “Zgjoi” është i frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për t’a siguruar mbijetësën e familjes. Ajo e fillon këtë angazhim duke u përballur me një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë. Askush dhe asgjë nuk e ndaloi Fahrijen në misionin e saj. E pikërisht kjo gjë e intrigoi Bashollin që të realizojë një film të bazuar në jetën e saj.

Rolin kryesor të Fahrijes, e luan aktorja e njohur kosovare Yllka Gashi. Kurse aktorët e tjerë të cilët marrin pjesë në këtë film janë: Adriana Matoshi, Çun Lajçi, Aurita Agushi, Xhejlane Tërbunja, Kumrije Hoxha, Kaona Sylejmani, Ilir Prapashtica, Adem Karaga, Blerta Ismaili, Molike Maxhuni, Bislim Muçaj dhe Shkëlqim Islami etj.

Producentët e filmit “Zgjoi” janë Valon Bajgora, Agin Uka dhe Yll Uka. Ndërsa, bashkëproducentët janë: Kristijan Burovski, Britta Rindelaub, Tomi Salkovski dhe Paskal Semini, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

‘Zgjoi’ është bashkëprodhim në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Zyra Federale për Kulturë FOC dhe Cineforom, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare për Kinematografi në Shqipëri. Ky film është prodhuar nga Industria Film dhe Ikonë Studio në bashkëprodhim nga Alva Film Production, Blac Cat Production, AlbaSky, Swiss National TV.

Poashtu ky film ka fituar tre çmime në Sundance Film Festival: Filmi më i mirë, Regjisorja më e mirë dhe çmimin e vlefshëm të publikut të Festivalit më të madh të filmit të pavarur në Shtetet e Bashkuara.

Pas këtij suksesi të madh, “Zgjoi” i Blerta Bashollit u bë edhe fitues i çmimit kryesor në Pri Fest, duke marrë kështu edhe çmimin e përvitshëm për arritje për një artist nga Kosova në fushën e kinematografisë.

Filmi “Zgjoi” është propozuar nga Kosova si kandidati i saj zyrtar për garën e Oscars për edicionin e ardhshëm të vitit 2022, të 94-tin me radhë. Gjithsesi filmi “SHOK” me regji të Jamie Donoughue, bashkëpunim ky mes Kosovës dhe Anglisë, ishte filmi i parë i cili u nominua për Akademinë OSCAR, e duke bërë industrinë e filmit kosovar të shënoj suksesin më të madh. /Reporteri.net/.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!