×
Art/Kulturë

Këngëtarja Shpresa Gashi feston ditëlindjen, mbushi 71 vjet

Reporteri
07 Shtator 2021 | 15:44

Artistja e njohur e skenës shqiptare, Shpresa Gashi, mbush sot plot 71 vjet.


Këngëtarja e njohur kosovare ka kënduar në shumë festivale dhe skena muzikore në hapësirën shqiptare dhe jashtë saj, si në vendet ballkanike, në Evropë, SHBA dhe Australi. Zëri i saj, si soprano lirike me një koloraturë të vecantë, është në më se 60 incizime, shumë prej të cilave edhe janë vlerësuar me çmime të ndryshme.

Ajo u lind me 7 shtator në vitin 1950, në qytetin e Pejës. Këngëtarja rrjedh nga një familje e vjetër në të cilën është kultivuar dhe trashëguar nëpër breza dashuria për muzikën dhe artin. Normalisht, ajo vazhdoo shkollimin në këtë fushë. U regjistrua në shkollën e mesme të muzikës në Prizren, ku u dallua dhe ra shpejt në sy për kualitetet e saj. Pas kryerjes së shkollës, ajo nisi të punojë si mësuese e muzikës në qytetin e saj të lindjes.

Ambiciet e saj për të mësuar më shumë drejt fushës së muzikës, nuk u ndalen. Kjo dëshirë e gjeti në Zagreb, ku duke lënë mbrapa një konkurrencë mjaft të fortë, u bë pjesëtare e Ansamblit Profesional, të parit dhe të vetmit në hapsirën e ish-Jugosllavisë, i cili kultivonte muzikën e renesansës dhe quhej Universitas Studiorum Zagrebiensis.

Pas themelimit të redaksisë së muzikës në Televizionin e Prishtinës, Shpresa këtu punoi si bashkëpunëtore e muzikës serioze, si ilustratore dhe si drejtuese e emisioneve muzikore. Pas kësaj ajo u bë edhe soliste e korit të Radio Prishtinës.

Ajo ka pëlqyer gjithmonë vlerësimin që i është bërë nga të tjerët se “Shpresa këndon shqip dhe ka timbrin shqip” . Një ndër ëndrrat e saj mbetet ngjitja në skenën e operës. Por limitet e kohës, mundësitë e kufizuara, mungesa e institucioneve operistike nuk i mundësuan realizimin e ëndrrës.

Shpresa është kantautore e tetë këngëve. Ndër këngët e njohura të saj janë “Malli”, “Nostalgji”, “Unë ty të kam dash”, “Kënga shpirtin ma rrëmben”, e shumë këngë të tjera të cilat janë të njohura për publikun.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!