Publicisti Bajram Kosumi ka sjellë për lexuesit librin e ri “Epoka e konsujve dhe paradigma të tjera”, ku trajton identitetin shqiptar dhe ballkanas në raport me të ashtuquajturën “Literaturë Konsullore”.
Në këtë vepër, autori analizon letërsinë dokumentare të udhëpërshkruesve, filologëve, gazetarëve, si dhe korrespondencën zyrtare të konsujve perëndimorë në qytetet shqiptare dhe ballkanase. Sipas tij, këto shkrime, shpesh të realizuara pa synime të mirëfillta shkencore, kanë ndërtuar një bazë të pasigurt mbi të cilën është shkruar historia e shqiptarëve dhe e rajonit.
Kosumi thekson se në këto tekste shqiptarët dhe ballkanasit paraqiten si “Tjetri”, në përputhje me paradigmat e studimeve kulturore angleze. Ai krijon një analogji mes “epokës së konsujve” dhe epokës së inteligjencës artificiale, duke argumentuar se edhe sot, shumësia e informacionit në internet mund të ndikojë në shtrembërimin e së vërtetës.
Ngjarjet në libër shtrihen nga mesi i shekullit XIX deri në vitin 2025, duke ndërthurur personazhe historike dhe imagjinare, si dhe ngjarje të letrarizuara të trajtuara nga këndvështrimi i Literaturës Konsullore.
Recensentët Merxhan Avdyli, Marisa Kërbizi dhe Ismail Syla vlerësojnë origjinalitetin e librit në zhanër, tematikë dhe ligjërim, duke theksuar vazhdimësinë me veprën e mëparshme të autorit “Enciklopedia imagjinare” (2024). Sipas tyre, “epoka e konsujve nuk është vetëm një periudhë historike, por një gjendje e vazhdueshme mendore”.
Libri ka 225 faqe dhe është i disponueshëm për lexuesit në Librarinë Artini.