Shtëpia filmike Unseen Films ka njoftuar përmes një kumtese për media se filmi i shkurtër “Krahët e Punëtorëve” i regjisorit Ilir Hasanaj ka hyrë në garë për nominim për Çmimin Evropian të Filmit (European Short Award), përcjell Reporteri.net.
Filmi është shfaqur mbrëmë në programin Cinehill Shorts në festivalin e filmit Cinehill. Sivjet për çmimin EFA të filmit të shkurtër garojnë gjithsej 26 filma deri në 20 minuta dhe fituesi i cili përzgjidhet nga juria profesionale ndërkombëtare fiton të drejtën për t’u nominuar për Çmimin Evropian të Filmit.
“Kujtojmë, se filmi Krahët e Punëtorëve (19’) i cili pati premierën botërore në edicionin e sivjetmë të festivalit ndërkombëtar të filmit në Rotterdam kishte fituar Tigrin e Artë të Roterdamit. I xhiruar nga Vigan Nimani, montuar nga Enis Saraçi dhe producent Arvan Berishën dhe Ilir Hasanaj, filmi sjell përvojat e punëtorëve Milazimit, Fatmirit dhe Liridonit, viktima të aksidenteve në vendin e tyre të punës. Në këtë homazh poetik dhe eksperimental, regjisori u jep zë përvojave dhe rrëfimeve të harruara të cilat janë pre e makinerisë dhe politikës primitive të Ballkanit. Juria e kishte cilësuar filmin si empatik dhe të ndjeshëm, ku portretizohen ngjarjet tragjike në jetën e individëve, plagët dhe dinjiteti i të cilëve përforcohet bukur nga një çasje kinematografike e ndershme dhe e thjeshtë”, thuhet në kumtesë.
Krahët e Punëtorëve, që synon nominimin për Çmimin Evropian të Filmit, ka vazhduar rrugëtimin e suksesshëm me premiera në festivale prestiogjioze me premierën austrike në Vienna Shorts (kategoria FIDO), premierën gjermane në festivalin e filmit të shkurtë Kurzfilm Hamburg (në garë për kategorinë e filmave ndërkombëtarë) në festivalin ndërkombëtar të filmit në Hong Kong si dhe në festivalin Curtas Vila do Conde në Portugali (garën e programit të filmave ndërkombëtarë).
Ndërkaq premierën vendore filmi Krahët e Punëtorëve do të ketë në festivalin e dokumentarit dhe filmit të shkurtër DokuFest, që nis me datën 2-9 gusht, 2024 ku garon në programin e filmave kombëtarë.