×
Art/Kulturë

Kurti: Historianëve iu takon të flasin për veprën e Pjetër Bogdanit

Reporteri
06 Dhjetor 2023 | 21:51

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Akademinë Solemne për “Ditët e Bogdanit 2023”, e cila u mbajt në Qendrën “BogdaniPolis”, në Prishtinë, transmeton Reporteri.net.

Duke folur për veprën e Pjetër Bogdanit, siç njofton kryeministria përmes një kumtese, Kryeministri Kurti tha se në vitin 1685, Bogdani e kishte botuar në Padova të Italisë, librin “Çeta e profetëve”, e cilësuar tashmë si vepër e parë origjinale e shkruar në gjuhën shqipe.

Kryeministri Kurti vlerësoi se vepra dhe jeta e Pjetër Bogdanit, ka tërhequr vëmendjen e shumë studiuesve, nga Gjon Nikoll Kazazi te Justin Rrota, Shtjefën Gjeçovi, Faik Konica, Injac Zamputti, Eqrem Çabej, Vili Kamsi, Dhimitër Shuteriqi dhe Shaban Demiraj, e deri te Anila Omari, Evalda Paci e Luigj Marlekaj.

“Fjalët për veprën dhe personalitetin e Pjetër Bogdanit, u takojnë studiuesve kompetentë të fushave përkatëse të historisë, gjuhësisë e të teologjisë. Ne të tjerëve, na mjafton që emri i Pjetër Bogdanit na bashkon çdo vit në Ditët e Bogdanit, sikur sivjet për të kujtuar Lazër Mjedën, një tjetër klerik katolik të shquar shqiptar, që përtej punës së tij prej kleriku, kreu dhe shumë aktivitete patriotike”, tha kryeministri Kurti.

n Kurti u shpreh se Pjetër Bogdani ishte një studiues dhe teolog me vlera.

Ai tha se për veprat e tij iu takon historianëve të flasin, ndërsa popullit i mjafton të bashkohen çdo vit në shënimin e “Ditëve të Bogdanit”.

“Pjetër Bogdani vdiq në një kohë kur po i printe mijëra vendas në luftërat austro- osmane në shekullin 17, vetëm katër vjet më parë 1685 Bogdani e kishte botuar librin “Çeta e Profetëve”, cilësuar si vepër e parë origjinale e shkruar në gjuhën shqipe. Fjalët për veprën e Pjetër Bogdanit u takojnë studiuesve kompetentë të fushave përkatësve të historisë, gjuhësisë dhe teologjisë. Ne të tjerëve na mjafton që emri i Pjetër Bogdanit na bashkon çdo vit në Ditët e Bogdanit”, tha Kurti.

Në përfundim, kryeministri uroi të pranishmit në Ditët e Bogdanit, për shumë shëndet dhe të mbara, në çdo përpjekje për të mirën publike të shoqërisë sonë, për paqe dhe përparim dhe për Republikën e Kosovës.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!