×
Art/Kulturë

“Në Luftë Hibride” nga Burim Ramadani, me plotë të pathëna dhe parashikim të së ardhmes në siguri

Reporteri
11 Dhjetor 2024 | 16:20

Autori dhe eksperti i sigurisë, Burim Ramadani, ka promovuar sot në Prishtinë librin “Në Luftë Hibride: vitet sfiduese në sektorin e sigurisë 2018-2022”. Libri shtjellon çështje të ndjeshme të sigurisë kombëtare e ndërkombëtare, si dhe përshkruan përjetimet e autorit në procese të rëndësishme të shtet-ndërtimit në sektorin e sigurisë së Kosovës.

“Kam kombinuar aspektet teorike, publicistikën dhe kujtimet nga puna pesë vjeçare në nivel menaxhues e kontrollues në sektorin e sigurisë së Kosovvës, në një periudhë jashtëzakonisht të ndjeshme të ndërtimit institucional dhe përballjes me rreziqet e kërcënimet e sigurisë kombëtare”, tha ndër të tjera autori Ramadani.

Sipas autorit, Lufta Hibride ndërlidhet me qëllimet dhe agjendat armiqësore të ndërhyrjes ruse, serbe, kineze dhe të akterëve të tjerë shtetërorë e joshtetërorë ndaj Kosovës dhe Ballkanit. “Kjo personalja, gjithsesi, ndërlidhet më së shumti me (ndoshta!) përjetimet në detyrat publike që kam pasur, si në AKI, po ashtu, edhe në Ministrinë e Mbrojtjes, të cilën e themeluam/transformuam nga Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Njëjtë, kjo ndërlidhet edhe me detyrën publike si Koordinator Nacional për Integrim dhe Anëtarësim në NATO!”, tha Ramadani.

Libri “Në Luftë Hibride” është i organizuar në pesë (5) kapituj, ku në kapitullin e parë Ramadani përshkuan përjetime të padëgjuara për përvojën e tij në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI). Në kapitullin e dytë, autori paraqet një kornizë përmbajtjesore teorike dhe pjesë të publicistikës mbi konceptin e luftës hibride dhe shembuj të veçantë të kësaj. Në kapitullin e tretë, autori Ramadani përshkruan detaje të papublikuara deri më tash gjatë procesit të bërjes së ligjeve për Ushtrinë e Kosovës, në vitin 2018, duke përfshirë këtu zhvillime vendimtare të këtij procesi. Në kapitullin e katërt, Ramadani ofron qasje teorike mbi sigurinë kombëtare dhe po ashtu përshkruan angazhimet publike në platformën për përballjen me propagandës ruso-serbe ndaj Kosovës. Në kapitullin e pestë, autori Ramadani paraqet një parashikim ambicioz për të ardhmen 10 vjeçare në aspektin e sigurisë kombëtare dhe më gjerë për Kosovën, shtetet e rajonit, si dhe situatat e ndjeshme të sigurisë globale.

Ndërsa, redaktori i librit, Prof. Dr. Gjon Culaj, ka vlerësuar librin për autenticitetin e tij dhe qasjen serioze teorike mbi konceptet e sigurisë kombëtare dhe asaj ndërkombëtare. “Burim Ramadani ka shkruar një libër atipik. Të mban në një frymë që nga fillimi e deri në fund. Përjetime që askush nuk i ka ditur deri tash dhe bazë të fuqishme teorike të sigurisë kombëtare e ndërkombëtare”, ka thënë profesor Culaj.

Në promovimin e librit të Burim Ramadanit sot në Prishtinë kanë marrë pjesë shumë personalitete politike e publike, profesorë e studiues të fushës së politikave të sigurisë.

Autori Burim Ramadani ka karrierë të gjatë në sektorin e sigurisë kombëtare dhe politikat e mbrojtjes. Libri është kombinim i kujtimeve, teorisë dhe publicistikës në fushën e sigurisë kombëtare e ndërkombëtare. Po ashtu, autori paraqet parashikimin e zhvillimeve të sigurisë në dhjetë vitet e ardhshme në Kosovë, rajon dhe në çështjet kryesore aktuale të sigurisë globale.

Libri është redaktuar nga Gjon Culaj, PhD; ballina është përgatitur nga Rilind Kuçi; realizimi kompjuterik është bërë nga Endrit Aliu; është botuar nga Shtëpia Botuese BLENDI në Prishtinë.

Libri “Në Luftë Hibride: vitet sfiduese në sektorin e sigurisë 2018-2022” është libri i tretë i autorit Burim Ramadani, i cili paraprakisht ka publikuar librin “SHTETI I KOMUNITETEVE: në zbatim të modelit Ahtisaari” (ZËRI: 2009), dhe librin “TRANSIT” (Zeroprint: 2014).

Libri “Në Luftë Hibride” i është dedikuar – pos familjes – grave dhe burrave që punojnë në institucionet e sigurisë së Kosovës, si dhe partnerëve ndërkombëtarë të sigurisë.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!