×
Art/Kulturë / Intervistë

Një trio e eksploruesve muzikorë në Kosovë: Drew, Maison, dhe Bill mishërojnë pasionin e tyre për muzikën me dëshirën për të lënë gjurmë

Autor:Rexhep Kameraj
18 Tetor 2023 | 14:49

Një analogji e inspiruar nga filmi i Titanikut i shërbeu për ta përkthyer në fjalë pasionin e tij për muzikën. Maison Guidry, që dikur ëndërr kishte të bëhet astronaut, tash multi-instrumentalist me zë në fushën e tij, por që specialitet e ka baterinë, vjen në Kosovë për një eksperiencë të paharrueshme. “Thashë, Kosovë? S’kam qenë asnjëherë. Hajde po shkojmë”.

Maison është i mendimit se muzikantët janë shërbëtorë – talentin që ka, thotë ai, nuk e ka për vete, por për ta ndarë me tjerët. E, teksa përpiqej t’i kanalizonte idetë e tij mbi muzikën, Maison nisi me një histori që të gjithë ne e dimë, por s’na ka shkuar mendja ta analizojmë dhe aq.

“Derisa Titaniku po fundosej, njerëzit përpiqeshin të shpëtonin, dhe kur ishte koha që bendi i muzikës të ndahej, lideri i grupit u ul dhe filloi të luante përsëri”, shprehu Maison, i cili përmes lëvizjeve skenike të duarve, e tonit të zërit që i ndryshonte sa lart-poshtë, vazhdoi analogjinë si për të faktuar rëndësinë e muzikës në situata drithëruese. “Lideri i tha grupit ecni ju, shpëtoni veten, dilni nga anija’. Por, ata muzikantë, në atë situatë, e kuptuan nevojën për të shërbyer, e kuptuan se muzika ishte e nevojshme për të ofruar një lloj ndjesie a sigurie. Imagjinoni sa më keq do të kishte qenë pa muzikë”.

Maison u lind në një familje artdashëse; prindërit e tij, të dy muzikantë, kompozitorë, e tekst- shkrues, ishin mësuesit e tij të parë. Ai vetë është baterist jashtëzakonisht i avancuar që kapërcen kufijtë e të pamundurës. Përgjatë karrierës së tij, Maison ka bashkëpunuar me artistë me zë në muzikë, si Stevie Wonder, Jonathan Scales, Derrick Hodge, Shaun Martin, e të tjerë.

Maison Guidry, baterist. (Gabby Drees/The Daily Iowan)

Bashkë me Drew Tucker (vibrafonist) dhe Bill Muter (tubist), Maison ka ardhur në Prishtinë me mision që ta ndajë me audiencën dashurinë e tij për muzikën. Në konflikt me ëndrrën e tij fëmijërore për t’u bërë astronaut, ai në fund zgjodhi simfoninë e tingujve mbi gjerësinë e hapësirës.

“Arrita në një pikë ku kuptova se ekziston një ndryshim midis një ëndrre shpresëdhënëse e një aspirate, dhe një diçkaje të lindur, diçka që është e natyrshme. Dhe zgjodha të mos e anashkaloja gjënë e natyrshme, që ishte muzika”, tregoi ai në intervistë për Reporteri.net, teksa shtoi se ende e ka në zemër aviacionin.

Jo shumë shpesh të rastis të shohësh muzikantë të nivelit botëror që vinë në Kosovë. Maison, Drew, dhe Bill, të tre fanatikë të muzikës xhaz, nuk dinë shumë për Prishtinën; megjithatë, e dinë se këtu dominon zhanri hip-hop i muzikës. Pavarësisht kësaj, ata me shumë vullnet thonë se e kanë pranuar ftesën për të ardhur, me organizim të Ambasadës Amerikane.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by BILL MUTER (@tubavisionary)

Përpos instrumenteve që luajnë, ekspertizën e tyre e shfaqin edhe përmes edukimit të gjeneratave të reja. E, aty ku takohet talenti me dëshirën për ndryshime pozitive, s’ka se si të mos mungojë edhe suksesi.

“Pavarësisht nëse dikush di gjithçka për muzikën xhaz ose nuk di asgjë, ne shpresojmë që njerëzit t’i bëjmë të ndiejnë diçka”, tha Drew Tucker, i cili e ndjen veten me fat që ka ardhur në Kosovë. “Për performancat tona, është gjithmonë më mirë të shkojmë në një vend që s’do më shkonte mendja ta vizitoja, një hapësirë që nuk është dhe aq e njohur. Ndaj, isha i lumtur [të vij këtu]”.

Si një muzikant dinamik, Drew mishëron muzikën xhaz me atë funk dhe hip-hop. Përmes karrierës së tij të bujshme, ai tenton ta rivitalizojë vibrafonin, një instrument goxha i rrallë. Drew ka bashkëpunuar edhe me artistë, disa herë fitues të Grammys, si Shaun Martin, Stefon Harris, Victor Wooten & Cory Wong. Për më tepër, është edhe Ambasador Amerikan për Kulturë.

Drew Tucker, vibrafonist (Drew Tucker)

Për të, muzika është një lloj gjuhe universale, e përgjithshme. “Pavarësisht se çfarë gjuhe flet, muzika është ajo që na bashkon të gjithëve, gjë që është emocionuese”, tregon Drew, që mes tjerash thotë se i pëlqejnë sfidat që vinë me profesionin e tij. “Sfida e të qenit muzikant, e të ndërtuarit të një karriere me blloqe dhe kreativitet, për mua nuk është e vështirë. Është entuziaste”.

Ndërsa trumbistit Bill Muter, muzika i ka shërbyer si një mjet “për ta hequr marren”, pasi është introvert nga natyra.

“Unë, sa i përket komunikimit, isha një fëmijë i turpshëm, nuk flisja me askënd dhe isha gjithmonë ‘pas perdeve’, dhe për mua, muzika ishte zëri im, dhe është ende zëri im. Më lejon të jem në gjendje të flas dhe të ndërveproj”, tha Bill, i rritur mes muzikantësh. “Unë isha më i vogli në një familje të madhe, ndaj nuk kisha nevojë të flisja. Muzika është mënyra ime e komunikimit.”

I njohur me nofkën “Tuba Visionary”, Bill është vlerësuar nga prestigjiozja New York Times për inovacionin që sjell në performancat e tij me tubë. Albumet e tij solo kanë prekur pozitën #1 në ranglistat e iTunes në Afrikën e Jugut, duke siguruar një vend edhe në Top 30-shen në Listat Globale R&B. Thënë shkurt, suksesi i tij nuk mund të mohohet.

Bill Muter, tubist (Wisler Elias/Slodak Photography)

Dihet që, pas rrugëtimit të çdo artisti, qëndron një burim i fortë frymëzimi. Në rastin e Bill-it, gjithçka filloi nën kulmin e një shtëpie që frymonte muzikë.

“Ishte shumë e lehtë për mua, sepse jam rritur në një shtëpi ku kishte gjithmonë muzikë. Nëna ime është kitariste dhe këndonte edhe në kishë. Dhe të gjithë në lagjen time… fqinji im ishte baterist, vëllai i tij luante bas dhe tubë, djali matanë rrugës ishte baterist, shoku im poshtë rrugës ishte kitarist, kështu që ne mblidheshim në lagje dhe argëtoheshim duke luajtur muzikë.”

Sapo përmbyset në valët e karrierës, për artistin puna është sfiduese. Barra që e mbart muzikantin, me uljet dhe ngritjet gjatë rrugës, sigurisht se të bëjnë t’i rimendosh rrethanat. E tillë, me pengesa, ishte edhe karriera e Maison.

“Kisha një periudhë në jetë kur, nga të performuarit me artistë, përfundova duke luajtur në rrugë. Kam luajtur në rrugët e Las Vegas, Nevada, për tre vjet, në lloj-lloj moti. Kur flisja me nënën dhe babën e më pyesnin ‘Hej, si po shkon?’, më vinte t’u them ‘A doni ta dini të vërtetën’?”, tregon Maison.

Mirëpo pavarësisht presionit të prindërve “për ta gjetur një punë”, ai zgjodhi ta vazhdojë rrugën, me besim të plotë në talentin e tij. “Në të tilla raste, duhet ta marrësh jetën tënde përsipër vetë, dhe mos t’i lësh të tjerët t’i marrin vendimet për ty. Duhet të bësh atë çka ty të nevojitet, për veten”.

Edhe Drew e vlerëson idenë e të luftuarit për veten, sidomos në moshë të re.

“Të 20-at kanë të bëjnë me përvetësimin e aftësive dhe krijimin e lidhjeve, pavarësisht nëse jeni në shkollë apo jo. Shkoni gjithkund, takoni njerëz. Asnjë punë, kur po filloja, nuk ishte shumë e ulët për mua.

Bill, Maison dhe Drew, prag të një kapitulli emocionues, mezi presin të eksplorojnë gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë.

Maison është i etur të shërbejë dhe të angazhohet me komunitetin lokal, duke nxitur një ndjenjë uniteti përmes muzikës. Bill, nga ana tjetër, pret me padurim mundësinë për të provuar ushqimet tradicionale, në kërkim të shijeve të reja. Ndërsa Drew, ia vuri pikën intervistës me dëshirën e tij për të mësuar. “Dua të dëgjoj e të observoj çka më jepet”.

Në format e tyre unike, këta tre muzikantë pasqyrojnë thelbin e krijimtarisë dhe inovacionit muzikor, duke kombinuar frymën e eksplorimit dhe rritjes si artist. Ndërsa nisin udhëtimin e tyre në Kosovë, ata bartin me vete jo vetëm muzikën, por një pasion të thellë mbi përvojat jetësore, një testament ky i mundësive të pakufishme që ofron bota e artit. /Reporteri.net/.

Drew Tucker dhe Bill Muter (Ambasada amerikane në Kosovë)

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!