×
Art/Kulturë

Pezullohen punimet në Çarshinë e Madhe të Gjakovës

Reporteri
22 Shtator 2021 | 15:13

Autor: Linda Krasniqi


Komuna e Gjakovës përmes një njoftimi ka bërë të ditur se është e obliguar të sqarojë çdo gjë që ka ndodhur rreth sanimit të rrugës “Sylejman Hadum Aga” në Çarshinë e Vjetër.


Ka tash e disa ditë që kanë filluar punimet në rrugën “Sylejman Hadum Aga” në Çarshinë e Vjetër në Gjakovë, por ato janë pezulluar. Ndërhyrjet e planifikuara në Çarshinë e Madhe të Gjakovës, pas shqetësimeve të ngritura nga profesionistë e qytetarë, janë pezulluar në mënyrë që të bëhet një rivlerësim.

E ky pezullim nuk nënkupton që MKRS kundërshton zhvillimet. Përkundrazi ata thonë se janë të përkushtuar që zhvillimet e zonave historike, të ngrisin kualitetin jetësor të qytetarëve duke rritur potencialin për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, përmes promovimit të identitetit kulturor.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si institucion përgjegjës për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Republikën e Kosovës, ka për detyrë që të sigurohet që ndërhyrjet në asetet e trashëgimisë kulturore kontribuojnë në ruajtjen e autenticitetit dhe integritetit të vlerave të trashëgimisë kulturore.

MKRS përmes një postimi në rrjetin social Facebook, kanë thënë se “Institucione vartëse dhe në bashkëpunim me institucionet e nivelit lokal duhet të sigurohemi që zhvillimi i zonave historike të jetë i balancuar dhe të mos cënoj autenticitetin dhe integritetin e materialeve të përdorura, formave dhe teknikave ndërtimore të aplikuara. I ftojmë të gjithë akterët dhe institucionet përgjegjëse që ndërhyrjet e planifikuara për zhvillim të zonave të mbrojtura historike, të bëhen me një kujdes dhe ndjeshmëri ndaj vlerave të trashëgimisë sonë të përbashkët kulturore”, njofton MKRS, raporton Gazeta Online Reporteri.net.

Në anën tjetër Komuna e Gjakovës është ndjerë e obliguar të sqarojë çdo gjë që ka ndodhur rreth sanimit të rrugës.

Ne si Komunë e Gjakovës, kemi realizuar projektin dhe kemi kërkuar leje nga komisioni përkatës në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. I njëjti komision, pas disa sygjerimeve na ka lëshuar lejen për fillimin e punimeve për realizimin e këtij projekti në qendrën e Çarshisë së Vjetër në Gjakovë”, kanë njoftuar ata përmes një postimi në Facebook.

Poashtu, edhe Drejtoria për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit e ka lëshuar lejen për fillimin e punimeve, që do të thotë se gjithçka ka shkuar sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi.

Më vonë, pas fillimit të punimeve dhe hapjes së rrugës “Sylejman Hadum Aga”, nga i njëjti Komision i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Gjakovës ka pranuar një letër përmes së cilës u është kërkuar që të pezullohen punimet.

Komuna e Gjakovës, konsideron se ky është rast eklatant i dëmtimit serioz të buxhetit komunal, veçanërisht i bizneseve komunale dhe rrjedhës së projekteve në komunën tonë. Komuna e Gjakovës, duke ndjekur të gjitha procedurat, do të vazhdojë me punë. Në të njëjtën kohë, kërkojmë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit që t’i shohë me urgjencë se kush janë ekspertët që kanë kërkuar të pezullohen punimet. Në bazë të informatave, personat në fjalë nuk janë ekspertë fare, por janë njerëz politikë të cilët sot qëllim kryesor e kanë fushatën zgjedhore dhe nuk kanë për qëllim mirëqenien e qytetarëve, atë të bizneseve dhe as rregullimin përfundimtar të qendrës historike në Gjakovë”, thuhet në njoftim, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!