×
Art/Kulturë / Kulturë

“Rrugës” e rikthen Kosovën në Festivalin e Cannes

Reporteri
23 Prill 2024 | 19:10

Filmi “Rrugës” e rikthen Kosovën në njërin prej festivaleve më të mëdha të filmit në botë. Është pikërisht Samir Karahoda që e përsërit një sukses si ky pasi me “Pa Vend” shkroi histori më 2021, kur për herë të parë një film vendor u fut në garë zyrtare në Festivalin e Filmit në Cannes, përcjell Reporteri.net. 

“Rrugës” konkurron për “Palmën e Artë” në kategorinë e filmave të shkurtër dhe është përzgjedhur në mesin e 4 mijë e 400 filmave nga të katër anët e botës.

Lajmin e ka bërë të ditur para pak minutash, producenti i filmit Eroll Bilibani. Edicioni i 77-të i Festivalit të Filmit në Cannes, mbahet prej 14 deri më 25 maj. Kosova, sipas njoftimit, konkurron me 10 shtete të tjera në këtë kategori.

Këtij lajmi iu gëzua edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Për herë të dytë, regjisori Samir Karahoda fiton vend në përzgjedhjen zyrtare të programit të Festivalit të Filmit të Kanës. Pas pjesëmarrjes në vitin 2021 me filmin “Pa Vend”, ai këtë vit merr pjesë me filmin e ri “Rrugës”, brenda konkurrencës së filmit të metrazhit të shkurtë në edicionin e 77-të të këtij festivali jashtëzakonisht prestigjioz. Ai bëhet regjisori i parë nga Kosova që ka shfaqur dy filma të ndryshëm në konkurrencën e Kanës”, shkroi Kurti në Facebook.

Kurti potencon se filmi është shkruar nga Samiri dhe djali i tij, Mironi, bazuar në një bisedë që të dytë kanë zhvilluar në veturë gjatë rrugës për në aeroport.

“Mironi bashkë me Ylber Mehmetin, luajnë dy rolet e vetme në film. Montazhën e filmit e ka kryer Enis Saraçi, të cilin e kam vizituar në studio në muajin shkurt, përderisa e montonte filmin bashkë me Samirin”, thotë ndër tjerash Kurti.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!