×
Art/Kulturë

Sabit Bajraktari dhe Xheladin Rexhepi marrin çmimin e parë në konkursin e poezisë “Ora e Astritit”

Reporteri
30 Shtator 2023 | 11:46

Xheladin Rexhepi me poezinë ‘Gjinestra’ dhe Sabit Bajraktari me poezinë ‘Kujtimet e fundit’, kanë marrë çmimin e parë në konkursin e poezisë “Ora e Astritit”, shkruan Reporteri.net.

Çmimin e dytë Halil Matoshi me poezinë ‘Trishtuem’, kurse çmimin e tretë: Oriada Dajko me poezinë ‘Tanimë jemi shumë të vjetër për t’u kthyer në shtëpi’ dhe Rei Hodo me poezinë ‘Mrekullia e heshtjes’.

Njoftimi i plotë:

Sot në Galerinë e Arteve në Ferizaj u mbajt takimi final i edicionit të shtatë të konkursit të poezisë “Ora e Astritit”.

Në këtë konkurs tradicional, që mbahet në kujtim të poetit dëshmor Astrit Bytyçi, këtë vit juria profesionale prej rreth 70 poezive të dërguara, përzgjodhi 33 si më të realizuara, për orën finale.

Vlen të theksohet që autorët e poezive ishin nga të gjitha trojet shqiptare, ndërsa ata që ishin të pranishëm në takimin e sotëm i lexuan poezitë e tyre.

Aktiviteti u ndoq me interesim nga mysafirët adhurues të fjalës së bukur dhe përveç tyre në këtë takim ishin të pranishëm edhe familjarët e poetit dëshmor Astrit Bytyçi.

Juria e përbërë nga: Kemajl Aliu – poet, ish-kryetar i klubit “De Rada”, Sabit Rrustemi – shkrimtar, botues, kryetar i Ars Klubit – Gjilan dhe Shkelzen Halimi – redaktor në gazetën elektronike për art dhe kulturë “Hejza”, fitues të këtij edicioni u zgjodhën:

Çmimi i parë:

Xheladin Rexhepi me poezinë ‘Gjinestra’ dhe Sabit Bajraktari me poezinë ‘Kujtimet e fundit’

Çmimi i dytë:

Halil Matoshi – me poezinë ‘Trishtuem’

Çmimi i tretë: Oriada Dajko me poezinë ‘Tanimë jemi shumë të vjetër për t’u kthyer në shtëpi’ dhe Rei Hodo me poezinë ‘Mrekullia e heshtjes’

Dyfishimi i çmimeve (I dhe III) u bë për nder të 150 vjetorit të themelimit të qytetit të Ferizajt.

Çmimi i parë fituesve iu dorëzua nga vëllai i dëshmorit Astrit Bytyçi dhe nipi i tij, Astriti i vogël.

Gjithashtu, për të gjithë pjesëmarrësit u ndanë edhe mirënjohje, ndërsa versioni elektronik i broshurës me poezitë e orës finale do të publikohet në faqen e klubit “De Rada”.

Vlen të theksohet se ky aktivitet i klubit “De Rada” është mbështetur nga Komuna e Ferizajt, gjegjësisht Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!