×
Art/Kulturë

“Ëndrrat e Hamletit“ nga Mentor Zymberaj po shënon histori, fitoi disa çmime

Reporteri
10 Shtator 2021 | 14:39

Autor: Linda Krasniqi 


Shfaqja e aktorit dhe procudentit kosovar, Mentor Zymberaj, “Ëndrrat e Hamletit“ po korr suksese dhe po merr vlerësime të larta duke u nderuar me çmime të ndryshme.


Mentor Zymberaj është një aktor dhe producent i njohur në skenat shqiptare për botën filmike. Ai kësaj radhe ka sjellur për publikun dramën “Ëndrrat e Hamletit”. Shfaqja është e bazuar në tekstin e Shekspirit “Hamleti, princi i Danimarkës”, dhe ky tekst është shkruar në monodramë nga dramaturgja dhe kritikja me renome botërore Nina Mazur. Pasi qe ky tekst është shkruar enkas për Mentorin, ai ka filluar të punojw në konceptin regjisorial të shfaqjes, duke ditur se Hamleti është ndër veprat dhe njëherit ndër  personazhet më të njohura të dramaturgjisë botërore. Regjisori thotë se është punuar gjatë si në adaptimin e tekstit e poashtu edhe në konceptin regjisorial, duke vazhduar pastaj inskenimin e shfaqjes për një kohë të gjatë.

Kjo shfaqje është realizuar në të gjitha segmentet e saj profesioniste dhe me një përkushtim të madh, si nga Mentori si regjisor e aktor i shfaqjes, e poashtu edhe me bashkëpunëtorët e shfaqjes. Gjithashtu edhe në skenografi e kostume Zeni Ballazhi, dizajn dritash Skender Latifi, muzikë origjinale të komponuar për shfaqjen Andin Randobrava, asistent regjie dhe kordinatori Mirak Zymberaj dhe një ansambel i tërë aktorësh që marrin pjesë në shfaqje me zërat e tyre, duke luajtur personazhet e tjerë të veprës  Selman Lokaj, Igballe Qena, Dora Xhemajli e të tjerë.

“Ky është një Hamlet i veçantë, me një filozofi të veçantë shtjelluese, dhe e cila shfaqje ka zënë vend të rëndësishëm në mediume e kritika të jashtëzakonshme në shumë Festivale Ndërkombëtare duke u nderuar dhe vlerësuar me çmime prestrigjioze të festivaleve. Ëndërr e aktorëve është të luhet Hamleti, një nga personazhet me më kompleks të dramaturgjisë botërore. Prita gjatë ta realizoja si personazh, duke biseduar më shumë regjisorë të vendit dhe të huaj, dhe në fund regjinë e kësaj shfaqje e realizova vetë. Nuk kishte kohë për pritje! Dilema “të rrosh apo mos të rrosh” është e ndërthurur edhe me dilemën se ndoshta më mirë është të rrosh si të tjerët “, tha ai për Gazetën Online “Reporteri.net“.

Meqë ishte aktor i vetëm në skenë dhe regjisor i shfaqjes, bashkëpunëtorët e tjerë dhe aktorët të cilët nuk shihen por dëgjohet zëri i tyre, i ka zgjedhur vetë, dhe thotë se kanë pasur një bashkëpunim shumë të mirë. Pikërisht ky motiv i realizimit të Hamletit më ndryshe nga Hamletët e  tjerë, ishte poashtu moto dhe provokim artistik i të gjithë ekipës realizuese që të dëshmohen me punën e tyre kreative, e cila është vlerësuar lartë kudo që e kanë bërë këtë shfaqje.

Premiera e shfaqjes ishte pikërisht në Ditën Botërore të Teatrit, me 27 Mars 2018, dhe tri vite pas premierës interesimi i selektorëve dhe drejtuesve artistik të festivaleve ka qenë mjaft i madh. Që nga festivali i parë ndërkombëtar “Vidlunja”në Khelmenitsky të Ukrainës, ku u nderua me çmimet dhe vlerësimet më të larta të festivalit, dhe më pas nga të gjitha Festivalet Nderkombëtare nuk është kthyer pa çmime.

“Mendoj se deri më tani kjo është shfaqja e vetme jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë që është duke praruar me suksese, pas shfaqjes më të sukseshme të të gjitha kohërave “ Aktorit në kuti ” e cila është në skenë që 15 vite dhe ka më shumë se 30 pjesëmarrje e çmime në Festivale  Ndërkombëtare. Prandaj rrugëtimi i shfaqjes “Ëndërrat e Hamletit” është i jashtëzakonshëm, tha ai për Reporteri.net.

Sa i përket planeve për të ardhmen, ai thotë se është duke punuar në vazhdimësi.

“Jam para premierës tjetër të monodrames “Lojesja” ku jam autor dhe regjisor i shfaqjes, e cila do të prezentohet në Festivalin Ndërkombëtar të monodrames në Kosovë “MonoAKT” si premierë e festivalit, si dhe në të njejtën kohë jemi duke pritur premieren e filmit të shkurtër artistik “Sofra e Varrit”, ku poashtu presim të shfaqet si premierë e festivalit të filmit ku jam skenarist dhe kryepersonazhi në film, regjinë e të cilit e ka bërë regjisori Mirak Zymberaj”, shtoi ai në fund.

Shfaqja “ËNDËRRAT E HAMLETIT”po shënon historinë e vet me suksese dhe vlerësime të larta, duke u nderuar dhe nominuar me çmime prestigjioze në shumë Festivale Ndërkombëtare:

– Festivali Ndërkombëtar Teatror në Mahaçkallah, Dagestan

– Festivali Ndërkombëtar i Monodramës “Vidlunja” në Khelmenitsky, Ukraine

– Festivali Ndërkombëtar i Monodramës “BacauFest” në Bacau, Rumani

– Festivali Ndërkombëtar i Monodramës “MonoAKT” në Kosovë

– Festivali Ndërkombëtar Teatror “MoldFest” në Kishineu, Moldavi

– Festivali Ndërkombëtar Teatror “Face to face” në Shkup, Maqedoni

– Festivali Ndërkombëtar Teatror “Sitfy” në Sharm El Sheikh, Egjipt

– Festivali Ndërkombëtar Teatror në Vlladimir, Rusi

– Festivali Ndërkombëtar Teatror “ Actor of Europe”, Prespë, Maqedoni

– Festivali Ndërkombëtar Teatror “Ostrovsky Fest” në Kineshma, Rusi

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!