Aktori Donald Sutherland, ylli që shkëlqeu në filmat si “The Hunger Games” dhe “Don’t Look Now”, ka vdekur në moshën 88-vjeçare pas një sëmundjeje të gjatë, raporton BBC.
I biri i tij, aktori Kiefer Sutherland, ka njoftuar për vdekjen e babait, përcjell gazeta online Reporteri.net.
“Me zemër të thyer ju njoftoj se babai im, Donald Sutherland, ka vdekur. Mendoj se ai ishte njëri nga aktorët më të rëndësishëm në historinë e filmit”, ka thënë ai.
Sutherland ishte i përfshirë në gati 200 role, përfshirë në filmat “The Dirty Dozen”, “Mash” dhe Klute”.
I lindur në Kanada, Sutherland nisi karrierën si gazetar i radios, para se të largohej në drejtim të Londrës në vitin 1957. Atje ka studiuar në Akademinë e Londrës për Muzikë dhe Art Dramatik.
Kështu nisi me role të vogla në filmat dhe televizionin britanik.
Në vitin 2015, Sutherland kishte thënë se një prej ndryshimeve më të mëdha që kishte vërejtur në industrinë e filmit ishte se aktorët e rinj po fitonin shumë para.
“Nuk mendoj se ndokush nga gjenerata ime u bë aktor për të fituar para. Nuk më ka ndodhur mua. Fitoja tetë dollarë në javë. Kur nisa me role në teatrin mbretëror, fitoja 17 dollarë në javë, ishte viti 1964”, kishte thënë ai.
Në vitin 2015, ai kishte thënë se nuk e ka në plan të pensionohej nga aktrimi.
“Jam pasionant i madh. Pensionimi nga aktrimi shqiptohet ‘Vdekje’”, kishte thënë ai.