×
Art/Kulturë

“Siparantum” i pari në Belgjikë, drejt Vjenës për 200-vjetorin e veprës ikonike të Beethovenit

Reporteri
29 Prill 2024 | 13:34

Kori “Siparantum” sivjet e ka nisur me triumf pjesëmarrjen në gara të niveleve të larta. Në Festivalin Evropian të Muzikës për të Rinj që mbahet në Belgjikë ka dalë i pari në kategorinë “G”. Në ngjarjen që po mbahet nga 26 prilli deri sot (e hënë) “Siparantum” është pjesëmarrës midis 93 koreve nga 19 shtete të ndryshme. Ky triumf i Korit nga Peja vjen pak ditë para se një pjesë e formacionit koral t’i kthehet Vjenës. Do të interpretojë prapë një prej veprave më të njohura të muzikës vokalo-instrumentale, Simfoninë e Nëntë të Ludvig van Beethovenit.

Por në qytetin Neerpelt të Belgjikës, Kori është prezantuar “Me nji lule” të Memli Kelmendit dhe “Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgëndërr” të Baki Jasharit, që e dërguan muzikën shqiptare në qytetin që gjendet në provincën Limburg në Belgjikë. “Ten a Solbici” e Samo Vovk, “Atsalums” e Jēkabs Jançevskis e “En’s Avonds” e aranzhuar nga Memli Kelmendi qenë, po ashtu, pjesë e repertorit të Korit që e udhëheq dirigjenti e kompozitori Memli Kelmendi.

“Me këto paraqitje ju jeni ambasadorët më të mirë të Republikës së Kosovës dhe të popullit tonë”, citohet të ketë thënë ambasadori i Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami, në komunikatën e lëshuar nga Ambasada. Kurse në Facebook, Bajrami ka shkruar se është i impresionuar dhe krenar me performancën e Korit

“Paraqitje e mrekullueshme dhe avangarde, e cila dëshmon se Kosova, edhe në këtë fushë të artit muzikor, shkëlqen në nivelet më të larta ndërkombëtare”, ka shkruar ai.

“Siparantum” është kthyer në këtë festival. Në vitin 2022 “Siparantum” kishte fituar dy çmime në të dy kategoritë në të cilat kishte garuar në Festivalin Evropian të Muzikës për të Rinj. Vendi i parë i kategorive “F” dhe “G” i kishte takuar korit “Siparantum” të dirigjuar nga Memli Kelmendi.

Repertori i Korit për pjesëmarrje në “Europian Music Festival for Young People” përmbante vepra stilistike të periudhave të ndryshme që nga renesanca, muzika shqiptare deri te muzika bashkëkohore. Ishte mbajtur prej 29 prillit deri më 2 maj dhe kishin marrë pjesë 50 kore nga vende të ndryshme të botës.

Njëjtë si në këtë festival, “Siparantum” do të kthehet edhe në Vjenë më 14 maj. Atje do të ngjitet në skenë bashkë me Orkestrën Simfonike të Vjenës dhe korin vjenez “Singakademie” për të interpretuar Simfoninë e Nëntë të Ludwid van Bethovenit. Për tri net radhazi më 30, 31 dhjetor dhe 1 janar, Kori nga Peja këtë e kishte bërë në të njohur “Silverster Concert” në Vjenë para katër muajsh. Por kësaj radhe simbolika është shumë më e madhe. Më 7 maj shënohet 200-vjetori prej kur kjo vepër u luajt premierë botërore në Vjenë. Po më 7 maj të këtij viti do të luhet prapë. Salla e koncerteve e kryeqytetit austriak pret muzikantë nga e gjithë bota. Janë emra virtuozësh ata që interpretojnë në ambientin që akomodon publik në tri nivele të sallës. Kësaj radhe solistë do të jenë sopranoja Rachel Willis-Sørensen, mezzo-sopranoja Tanja Ariane Baumgartner, tenori Andreas Schager dhe baritone Christof Fischesser. Koncerti do të dirigjohet nga Joana Mallwitz.

“Siparantum” i themeluar më 2017 ka shënuar suksese vazhdimisht. Në lojërat e nivelit më të lartë të garës së koreve me dy fitore në “World Choir Games” në korrikun e vitit të kaluar, që janë mbajtur në Korenë e Jugut. Kori nga Peja kishte përfaqësuar vendin në më të madhen garë të këtij lloji me dy paraqitje në kategoritë “Musica Contemporanea” dhe “Mixed Choir” në edicionin e 12-të të Lojërave Botërore të Koreve.

Si pasojë e mungesës së mjeteve financiare, “Siparantum” ishte detyruar të shkonte në Korenë e Jugut pa pothuajse gjysmën e anëtarëve. Kjo nuk çonte peshë për “Siparantumin”.

Veç disa muaj pas triumfit në Lojërat Botërore, në fundtetor fitoi edicionin e pestë të “Lojërave Evropiane të Koreve”, ku garoi për Çmimin e Madh të Kombeve në Norrköping të Suedisë bashkë me 25 vende të botës. Atje kishte ngritur në këmbë publikun tok me jurinë, me vepra që i jepnin zë rrëfimit të Kosovës. Doli i artë.

Kori shpejt ka bërë jehonë ndërkombëtare. Paraprakisht qe vlerësuar me vendin e parë në kategorinë “A1 – Choirs of Mixed Voices – Difficulty Level I” – që është kategoria më e vështirë e festivalit “Lisbon Sings” në Portugali. “Siparantum” ia kishte dalë ta zërë vendin e parë në festivalin ku morën pjesë 22 kore nga 17 shtete të botës. Festivali është aktivitet që bën pjesë në “World’s Best Choirs Rankings of the Top 200 Choirs and Ensembles”.

“Siparantum” ka hyrë zyrtarisht në rangimin për koret më të mira në botë, që bën bashkë një mijë kore. Është radhitur në pozitën e 30-të të ansambleve më të mira vokale. Në mars të 2021-s mori pjesë në Festivalin Evropian për të Rinj, me traditë prej shtatë dekadash, që edhe atë vit virtualisht bashkoi 100 kore. Në tetorin e vitit 2021, Kori nga Peja, që për herë të parë bëri që një kor nga Kosova të marrë pjesë në garën “Zlatna lipa” në Kroaci, mori “Pllakatin e Artë”. Kurse në nëntor, në garën më të madhe në botën e muzikës korale që mbajti edicionin e saj të 11-të në Gent dhe Antwerp të Belgjikës, për herë të parë e vendosi emrin e Kosovës në atë që konsiderohet si Olimpiada e Muzikës Korale. U kthye në shtëpi edhe me çmim. Mori medaljen si Kori më i mirë në kategorinë dedikuar muzikës bashkëkohore.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!