×
Art/Kulturë

Sot përmbyllet festivali i fotografisë ‘LENS FEST’, organizatorja flet për Gazetën Reporteri

Reporteri
24 Gusht 2021 | 15:23

Autor: Linda Krasniqi


Në Kosovë nuk është një festival tjetër i fotografisë, dhe mungesa e një festivali të tillë e ka shtyrë organizatoren Bardha Goga ta zhvilloj edhe në vendin tonë ‘LENS FEST’, i cili u mbajt në fshatin Jezerc të komunës së Ferizajt.


“Numri i të interesuarve ka qenë afro 100 për pjesëmarrje, ku i kemi pranuar vetëm 15 nga të gjitha qytetet e Kosovës” tha Goga, të martën, në një bisedë për Gazetën Online ‘Reporteri.net’.

Shtoi se numri ka qenë i kufizuar për shkak të pandemisë dhe për shkak të mësimit cilësor.

Programi i këtij festivali është organizuar për pesë ditë radhazi, ku në ditën e parë është bërë ceremonia e hapjes, e cila ka vazhduar me muzikë elektronike. Në ditën e dytë dhe të tretë janë mbajtur ligjërata dhe punëtori nga profesori Afrim Spahiu, i cili ka shpjeguar fotografinë analoge dhe digjitale, dhe nga fotografi Arian Mavriqi, i cili ka shpjeguar jetën e egër, dhe që u mbajtën në fshatin Jezerc. Kurse dita e katër është zhvilluar poashtu me ligjëratë nga Bardha Goga rreth historikut të fotografisë shqiptare dhe punëtori nga një fotograf i portreteve i cili ka studiuar në Neë York për foto-portret dhe ka ardhur në këtë festival për t`ua mësuar teknikat e ndriçimit dhe realizimin e foto-portretit.

Sa i përket ditës së pestë, e cila është sot me datë 24 gusht, ku edhe do të bëhet mbyllja e festivalit dhe hapja e ekspozitës kolektive me 16 emra të njohur të fotografisë shqiptare, Organizatorja Bardha Goga tha për Gazetën Online Reporteri.net se “Kjo ekspozitë do të hapet në galerinë urbane të qytetit tek nënkalimi kryesor, dhe do të ndahen mirënjohje për pjesëmarrësit dhe profesorët”.

“Poashtu pas kësaj festivali do ta bëjë mbylljen nën tingujt e grupit Zwada”.

Sa i përket planeve për të ardhmen rreth këtij festivali, Goga u shpreh se ky edicion i parë ka shkuar më mirë se sa që e kanë planifikuar, duke shtuar në fund se “planet do të vazhdojnë për edicione të tjera rreth këtij festivali, me një program edhe më të gjerë”. /Reporteri.net/.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!